BRUKSEL, 19 mars 2013 – Shërbimi Policor i Bashkimit Europian zbuloi në territorin e BE-së pothuajse 3600 grupe të krimit të organizuar.
Në raportin e publikuar nga Europol-i thuhet se dega më aktive e veprimtarisë së këtyre grupeve është trafiku ndërkombëtar i drogës. Është regjistruar gjithashtu një rritje e ndjeshme e krimeve në sferën ekonomike dhe në hapësirën kibernetike.
Sipas një studimi, grupet e reja kriminale në Europë "nuk klasifikohen më nga përkatësia kombëtare ose nga specializimi në një sferë të veçantë të krimit. Ato janë të përqëndruara në sigurimin e fitimit maksimal dhe rrezikimit minimal”.
"Ato janë mishërim i shoqërisë sonë të re globale", – deklaroi drejtori i Europol-it, Rob Wainwright.
Shqipëria, Turqia dhe Pakistani janë tre vendet që dominojnë në tregun e lëndëve narkotike, sipas Europol. Sipas vlerësimeve të ekipeve dhe hulumtuesve të Europol (SOCTA) rreth krimit të organizuar sot në vendet e BE-së, trafiku ndërkombëtar i drogës mbetet nga veprimtaritë më aktive të krimit të organizuar.
Organizatat kriminale i preferojnë apo i shfrytëzojnë kanalet përmes rajoneve të Ballkanit Perëndimor. Heroina dhe kokaina kalojnë përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor, tranzit nëpër Turqi dhe Afrikë. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë vetëm një rajon tranzit, por edhe një burim i madh i armëve në trafikun ndërkombëtar, bashkë me drogën dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Franca, Britania e Madhe, Italia, Gjermania janë tregjet, ku shitet sasia më e madhe e heroinës. Sipas vlerësimeve, nga shitja e heroinës grupet kriminale sigurojnë deri 12 bilion euro fitime. Emri i Shqipërisë përmendet edhe për drogat sintetike.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





