Paraditen e së martës, porti i Durrësit mirëpriti në dy kalatat e tij 3 anije italiane; velierën më të bukur në botë “Amerigo Vespucci”, katamaranin “Lo Spirito di Stella” dhe anijen patrulluese “Libra”, që iu dhurua Forcës Detare shqiptare. Për komandantin e  Forcës Detare, kundëradmiralin Adnan Agastra, kjo dhuratë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Italisë, por edhe më gjerë.

“Kjo është një anije që siç e shikoni dhe ju ka kapacitete shumë të mira operacionale. Është shumë e integrueshme me të gjitha kapacitetet e NATO-s dhe do të shërbejë gjatë periudhës së saj të shërbimit në Forcën Detare të Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në misionet në interes të sigurisë dhe paqes në hapësirën detare të vendit tonë, në Adriatik dhe Jon, por edhe më gjerë në Mesdhe”.

“Libra” është një anije e dizajnuar për patrullimin dhe mbrojtjen e ujërave dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në sigurinë detare të Shqipërisë.

Ndërkohë anija simbol i kulturës detare italiane “Amerigo Vespucci” vjen për të dytën herë në vendin tonë dhe ndalesa në portin e Durrësit është në kuadër të turit botëror, të nisur nga Xhenova më 2 korrik 2023. 

“Anija Amerigo Vespucci prej dy vitesh është në një tur botëror, të nisur në 2 korrik 2023. Kemi qenë në 35 porte në 30 vende të 5 kontinenteve të ndryshme. Ishte kjo një iniciativë e ministrit tonë të mbrojtjes që nuk donte që të ishte vetëm anija “Amerigo Vespucci”, por e gjithë Italia në këtë tur botëror për të përfaqësuar sa më mirë, në 360 gradë, 12 dikastere të ndryshme që janë përfshirë në këtë projekt”,- deklaroi për mediat komandanti i anijes, Giuseppe Lai.

“Do të jenë mbi 1500 nxënës shkolle që do të vizitojnë anijen, që shërben si një ambasadë shëtitëse. Vespucci është një ambasadë, një ambasadë e kulturës italiane detare, por edhe kulturës “Made in Italy””,- tha ambasadori italian në vendin tonë, Marco Alberti.

Pjesë e turit botëror të velierës së famshme është bërë dhe katamarani “Lo Spirito di Stella”, i njohur për përkushtimin e tij ndaj kauzave sociale. Ky katamaran është i përshtatur për të mundësuar personave me aftësi ndryshe të jenë pjesë e ekuipazhit.

“Ky katamaran u lejon personave me aftësi të kufizuar të kthehen në det, jo për të bërë një xhiro me anije, por për të qenë pjesë e ekuipazhit. Unë isha ish-oficer i Marinës Ushtarake, pësova aksident 20 vite më parë dhe nuk besoja se do të udhëtoja sërish si pjesë e ekuipazhit të një anijeje”,- tha për “DurrësLajm”, Giorgio Porpiglia, ish-ushtarak i Marinës Italiane.

“Në kuadër të turit botëror që realizojmë me anijen “Amerigo Vespucci” herë pas here në anije imbarkohen anëtarë të ekipit sportiv paraolimpik italian. Ky katamaram i lejon personave paraplegjikë që të jenë krejtësisht autonomë dhe të kryejnë funksione të veçanta në anije”,- deklaroi Stefano Locci, komandant i katamaranit.

Gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte, anija ‘Amerigo Vespucci” do të jetë e hapur për publikun dhe hyrja në të do të realizohet vetëm për këmbësorë nga porta nr. 2 e portit të Durrësit.

M.B.