Artistët nga Durrësi Florian Bregu, David Kryemadhi dhe Ilir Topi janë fituesit e çmimit të parë të Konkursit “Novelat Grafike Shqiptare”, të organizuar nga Ministria e Kulturës. 3 artistët u zgjodhën mes 25 pjesëmarrësish nga e gjithë Shqipëria.

Henri Dimo, Betina Sharavolli, Iris Boshnjaku dhe Bartolino Selamaj pasojnë përkatësisht çmimin e dytë deri tek i pesti.

Pjesëmarrësit në konkurs janë nxënës të shkollave të mesme artistike në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier dhe Durrës, studentë nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Arteve Figurative etj., por edhe të pasionuar pas novelave grafike.

“E bukura e këtij konkursi, që besoj ka tërhequr edhe vëmendjen e të rinjve është qasja me trashëgiminë #kulturore, me baladat, legjendat #shqiptare përmes një gjuhe që atyre u pëlqen. Shpesh një vizatim, një paraqitje grafike mund të thotë shumë më tepër se fjalët.

Dhe të shihje punët e paraqitura ishte si të udhëtoje në një botë të jashtëzakonshme fantazie, mbushur me heronj të së djeshmes, por edhe të sotmes; me legjenda kalash, por edhe problematikash të përditshmërisë. Uroj që edicioni i ardhshëm të vijë edhe më i pasur”,- shkruan ministrja Elva Margariti, në rrjete sociale.

Ministria e kulturës prezantoi në këtë ceremoni nismën e krijimit të një “maskote”, të një personazhi që të na udhëheqë përgjatë rrugëtimit tonë nëpër Shqipëri, mes trashëgimisë sonë kulturore, parqeve arkeologjike, muzeve, monumenteve etj.