5 qershor 2014 – Pronat ishin hipotekuar në favor të bankës Raiffeien, Intesa SanPaolo dhe Pro Credit. Floryhen është çregjistrual pa likuidim, dhe është ndarë në dy kompani të tjera, ndërsa aktiviteti i saj është transferuar në Dibër…

Shoqëria përmbarimore private EPSA ka njoftuar shpalljen e ankandit për pronat e Floryhen shpk, që ndodhen në Vrrinë (rrethi Durrës), me një sipërfaqe trualli në total prej rreth 53 mijë metra katror dhe ndërtesa me sipërfaqe rreth 19 mijë metra katror. Këto ishin hipotekuar në favor të bankës Raiffeien, Intesa SanPaolo dhe Pro Credit. EPSA njofton se çmimi me të cilin fillon ankandi është rreth 3.98 milionë euro dhe ankandi do të zhvillohet në 11 qershor.

Floryhen shpk deri para pak kohësh ishte kompania më e madhe e prodhimit të vezëve në vend, e krijuar që në vitin 1994, si një kompani e përbashkët italo shqiptare. Deri në fund të vitit 2010 kompania kishte një xhiro vjetore prej rreth 6 milionë eurosh.

Aktualisht, sipas QKR-së, kompania është çregjistruar pa likuidim. Ortakët e kompansië kanë qenë Sami Gjergji, me 40%; CDM Cercetare Dezvoltare Monaldi srl 40% dhe AGROALIMENTARE F.LLI MONALDI S.P.A 20%. Nga ky likuidim janë krijuar në vitin 2012 shoqëritë e tjera “FLORYHEN-E” sh.p.k. dhe “MONALB” sh.p.k.. Sipas z.Sami Gjergji, aktiviteti i FLoryhen është transferuar aktualisht në Dibër, ku kompania shfrytëzon kostot më të lira të operimit të aktivitetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, deri në fund të vitit 2010, Floryhen zinte rreth 20% të tregut të prodhimit të vezëve në vend, duke qenë më e madhja në këtë sektor. Konkurrenti më i afërt është AIBA.

Po sipas Ministrisë së Bujqësie, tregu i prodhimit të vezëve në vend është rreth 860 milionë kokrra, me një qarkullim vjetor prej rreth 30 milionë eurosh.

Dalja e Floryhen nga tregu ka rritur hapësirat për kompanitë e tjera vendase, teksa ky treg mbulohet pothuajse krejtësisht nga prodhimi i brendshëm.