Rreth 16 milionë lekë të reja do të përdoren për rikualifikimin e 3 hapësirave publike në Durrës.

Tenderi për realizimin e këtij investimi është zhvilluar që në muajt e parë të vitit të kaluar, por firmosja e kontratës mes bashkisë Durrës dhe firmës fituese “K.M.K – Caushaj M” është bërë vetëm në ditët e para të dhjetorit 2023.

Investimi publik që realizohet me fondet e bashkisë do të përqendrohet në 2 hapësira publike në lagjen nr.13 dhe në një shesh në lagjen nr.6.

Konkretisht dy ndërhyrjet rehabilituese në zonën e plazhit planifikohen të realizohen tek sheshi që ndodhet prapa shkollës “Bajram Curri”, pranë shkollës “Abedin Dino” dhe sheshi pranë zonës së quajtur “Rifat Peshkatari”.

Duke iu referuar dokumenteve të tenderit, sheshi pranë dy shkollave 9-vjeçare ka një sipërfaqe prej 2447 m2.

“Me sistemimin e këtij sheshi është rikualifikuar dhe evidentuar hyrja e shkollës “Abedin Dino”. Gjithashtu, për komunitetin është shtuar një kënd lojërash me sipërfaqe 107 m2 , një fushë e re basketbolli me sipërfaqe 153 m2 e rrethuar me strukturë metalike. Për sa i përket qarkullimit të makinave dhe të këmbësorëve janë sistemuar: trotuari brenda bllokut të banimit, 17 vendparkime dhe rruga e kalimit të makinave me një sens lëvizje. Gjithashtu është parashikuar sistemimi i ujërave të bardha”,- thuhet në dokumentet që disponon “DurrësLajm”.

Ndërkohë, në sheshin e dytë që ndodhet pranë Urës së Dajlanit, është parashikuar shtrimi i tij, kanalizimet e ujërave të bardha dhe shtrimi i rrugës që lidh sheshin me rrugën kryesore “Pavarësia”.

Në të njëjtën kohë, të dy hapësirat publike në zonën e plazhit do të pajisen me sistem ndriçimi.

Përsa i përket ndërhyrjes rehabilituese në lagjen nr.6 të qytetit, ajo do të realizohet në hapësirat mes pallateve, tek “Rruga e dëshmorëve”.

Në projektin e rehabilitimit të kësaj hapësire publike parashikohet edhe prishje godinash, gardhesh dhe strukturash.

“Kontraktori duhet të heqë me kujdes vetëm ato ndërtime, gardhe ose struktura të tjera të drejtuara nga Supervizori”,- thuhet në dokumentet e tenderit, ndërsa rekomandohet edhe: “Gjatë kryerjes së punimeve prishëse, kontraktuesi duhet të marrë masa që të mbrojë godinat, gardhet, muret rrethuese dhe strukturat që gjenden në afërsi të objektit, ku po kryhen këto punime prishëse”.

Njëkohësisht, gjatë punimeve do të hiqen pemët dhe shkurret mbi 1.5 m, ndërsa rekomandohet që të mos dëmtohen ato pemë që nuk ndikojnë “në rehabilitimin ose në ndërtimin e objektit të ri. Në rastet kur heqja e tyre është e domosdoshme, duhet të merrem masa mbrojtëse në mënyrë që gjatë rrëzimit të tyre të mos dëmtohen personat dhe objektet përreth. Për këtë, për pemët që janë të larta mbi 10m, duhet që prerja e tyre të bëhet me pjesë nga 3m”.

Sipas bashkisë, në përfundim të investimit, edhe kjo hapësirë publike e lagjes nr.6 do të jetë e pajisur me sistem ndriçimi dhe vende parkimi.

M.B.