Rritet ndjeshëm numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në portin e Durrësit, por edhe koha e qëndrimit të tyre.

Krahasuar me qershorin e vitit 2022, këtë vit janë regjistruar shifra 3 herë më të larta.

“Numri i velierave dhe jahteve me motor në portin e Durrësit për muajin qershor është 3-fishuar nga periudha e një viti më parë. Vetëm këtë muaj kemi pasur 180 vizita nga mjetet lundruese luksoze, të cilat kanë rritur kohën e qëndrimit të tyre në portin e Durrësit. Nëse deri një vit më parë vinin dhe qëndronin 24 orë ose më pak, tani kemi jahte që qëndrojë në portin e Durrësit edhe dy javë”,- thotë për “DurrësLajm” kapiteni i portit, Tauland Allka.

Përtej zërave se mjetet lundruese luksoze vijnë në Shqipëri vetëm për t’u furnizuar me karburant, kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në brigjet tona dëshmon se vendi ynë po kthehet në një destinacion edhe për turizmin elitar.

Jahti luksoz “Grey Goose I”, i gjatë 30.5 metra, qëndroi 11 ditë në portin e Durrësit, gjatë muajit korrik. Fatura për ditët e qëndrimit, furnizimin me karburant, energji, taksat portuale dhe vizitat në sitet arkeologjike dhe historike të Durrësit dhe Beratit  shkon afërsisht 11 mijë euro, ose rreth 1000 euro në ditë. 

Për kapitenin e portit të Durrësit, Tauland Allka, jahtet marrin të gjitha shërbimet e nevojshme në hapësirën portuale dedikuar atyre.

“Porti i Durrësit u ofron të gjitha facilitetet e nevojshme për këtë lloj industrie, që nga qëndrimi i sigurt, ujë, energji elektrike, internet, largimin e mbeturinave etj”.

Trendi rritës i numrit të jahteve dhe velierave luksoze që janë ankoruar në port më të madh në vend ka vijuar edhe gjatë muajit korrik. 

M.B.