Ndërsa pritet të numërohen 3 kutitë e fundit të mbetura ende pa hapur në KZAZ nr.21, tek pallati i sportit “Ramazan Njala”, aty janë mbledhur figurat më të larta të PS Durrës dhe Shijak.
Mes të pranishmëve vihen re koordinatori i PS Adrian Çela, kryesuesja e listës Milva Ekonomi, deputeti Lefter Koka, kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana, por edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili ka ndjekur nga afër këtë proces gjatë dy ditëve të numërimit.
Pas fitores me diferencë të thellë dhe me shumë gjasë përsëritjes së fitores së 8 mandateve, njësoj si në vitin 2017, eksponentët më të lartë të PS janë mbledhur aty për t’ju gëzuar fitores. Nuk dihet nëse pas përfundimit të numërimit do të nisen drejt Tiranës për t’ju bashkuar festës së thirrur nga kryeministri Edi Rama në sheshin “Skënderbej”.





