TIRANE –“Unë jam gati ti votoj që nesër tre ligjet, nuk kisha pse ti diskutoja me komisionarin Fyle. Kështu deklaroi kryeministri Berisha vizitën e dy ditë më parë të Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle në Tiranë. 

Numri 1 i qeverisë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e EBRD-së (BERZH) Suma Chakrabatti komentoi edhe projektligjin, i cili i hap rrugë “armatosjes” së deputetëve dhe ministrave. Duke vlerësuar se “është një cështje praktikash në vende të ndryshme. Por, ato që përcakton ligji janë praktika të pranueshme”, tha Berisha. 

BORXHI PUBLIK, BERISHA: 60% NUK ËSHTË LAK NË FYT PËR NE 

Kreu i ekzekutivit vlerësoi se borxhi publik nuk është kërcënues ndaj do vijojë të qëndrojë në nivelin 60% duke theksuar se i ka shërbyer sistemit për zhvillim dhe ndërtim. 

“ Qeveria do i qëndrojë borxhit dhe i kemi qëndruar gjatë 5 viteve të fundit. Nuk besoj se niveli 60 përqind është linja e kuqe. Linja e kuqe është ai që kërcënon mundësinë e shërbimit të borxhit. Borxhi në tërësi i ka shërbyer dhe i shërben sistemit për zhvillim dhe ndërtim, por kthehet në një lak në fyt në momentin që shfaqen shërbimet serioze ndaj tij. Mund të them se qeveria shqiptare nuk ka vështirësi në shërbimin ndaj borxhit dhe të parandalojë një situatë situatë që e nxjerr në gjendje të vështirë”, theksoi Berisha. 

PRESIDENTI I BERZH NE TIRANE: SFIDA JUAJ SI TE KALONI KRIZEN ME MIRE 

Presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabarti vizitoi sot për herë të parë Shqipërinë që kur është emëruar në këtë post. Qëllimi i vizitës së tij është mbështetja e BERZH për investimet në vend. 

Gjatë në konference të përbashkët shtypi me kryeministrin Berisha, kreu i BERZH vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë ne këto vite. Suma Chakrabarti teksa nënvizoi qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj krizës financiare tha se edhe ajo si shumë vende nuk ka mbetur pa u prekur, ndaj mbetet sfidë si të kalohet më mirë. 

“Shqipëria i ka qëndruar mirë krizës financiare, por nuk mund te themi se nuk është prekur, por pyetja është si ta kalojmë sa më mirë këtë krizë financiare. Me qeverinë kemi diskutuar sa i përket rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri” tha kreu i BERZH teksa nënvizoi edhe arsyet pse Shqipëria i ka bërë ballë krizës. 

“Një ndër arsyet kryesore është se janë marrë më përpara masat sa duhet që vendet e tjera i kanë marrë më pas. Kemi të bëjmë me masa që janë marrë në kohën e duhur. Ajo cka duhet bërë është e rëndësishme të zhvillohen politikat e rritjes dhe klima e biznesit”, shtoi ai. 

AXHENDA 
Ai do të takohet me Kryeministrin Berisha, ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Një takim i veçantë do të jetë dhe për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha si dhe do të vizitojë një sërë projektesh ku ka investuar BERZH. Kjo vizitë konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it për Shqipërinë, ndërsa presidenti i saj do të ketë mundësi që të diskutojë për përparësitë e investimeve. 

Gjatë kësaj vizite ai do të shikojë nga afër disa projekte ku BERZH ka financiar. Kjo bankë është një nga investitorët më të mëdhenj në sektorin privat në Shqipëri. Fushat kryesore që asistohen nga BERZH janë: Sektori financiar, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, infrastruktura, burimet natyrore etj. BERZH ka investuar në projekte të rëndësishme infrastrukturore, siç është modernizimi i aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, terminali i pasagjerëve në Portin e Durrësit, por edhe në atë rrugore për zhvillimin e rrjetit të brendshëm të vendit.