TIRANE, 4 maj 2013– Pas propozimit që tre ligjet e statusit të miratohen tani dhe të hyjnë në fuqi në shtator, të cilin e ka pranuar Edi Rama , Ilir Meta i kërkoi kryeministrit të mbajë fjalën dhe ti votojë ato.
"Le të shpresojmë se kryetari i Partisë Demokratike z. Berisha, i cili ka kërkuar që këto tre ligje të votohen prej kohësh të mos ndryshojë mendim sepse nuk do të ishte mirë për të dhe natyrisht që do të kishte mundësinë që të tregonte se ka qenë i sinqertë të paktën deri më tani në këto deklarata publike për domosdoshmërinë të këtyre ligjeve"- tha Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta akuzoi ish-aleatin e tij kryeministrin Sali Berisha për situatën ekonomike në vend që sipas tij është e rëndë.
"Shkëlqimi i ekonomisë ekziston vetëm në fjalimet euforike të kryeministrit aktual. Ndërkohë që, borxhet e qeverisë ndaj biznesit janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Rreth 300 milion dollarë punë publike të kompanive të ndryshme që nuk janë paguar nga qeveria, ndërkohë që kompanitë paguajnë interesa nëpër banka dhe rritet numri i kredive të këqija. Rreth 200 milion euro borxh i qeverisë si mungesë rimbursimi për TVSH-në për bizneset dhe të gjitha këto rëndojnë mbi qytetarët"- tha Meta.
Ilir Meta ishte në një takim me strukturat e partisë në zonën e Kombinatit në kryeqytet ku gjatë prezantimit të kandidatit për deputet Ardit Çela, u shpreh i bindur për fitoren e Aleancës për Shqipërinë Evropiane më 23 qershor.





