I vrarë në Ekuador në Janar të këtij viti, durrsaku Ergys Dashi kishte krijuar një rrjet të gjerë të trafikut të drogës nga ky vendi drejt Italisë, përmes kalimit në portin e Amsterdamit.

Një operacion policor në Itali një ditë më parë ka vënë në pranga anëtarë të grupit të Dashit, një pjesë e mirë e tyre shqiptarë. Sipas mediave italiane, në pranga kanë përfunduar: Rako Plaku, Astrit Bajraktari, Andi Prifti, Alfred Muçaj, Edmond Dashi, Rigels dhe Alban Yzeiraj, Ismet Ceka, Mariglen Haderi, Odisea Leka, Michael Marek Koëaclzyk, Marta Obara, Saverio Girgenti, Bedrana Ahmiç dhe Stivi Filolli. Ky i fundit u vendos në pranga nga Policia shqiptare në kuadër të operacionit “Grand Tour”, për t’u ekstraduar më pas në Torino, vend ku banda kishte “bazën”.

Në dosjen e autoriteteve italiane janë 380 faqe materiale, përfshirë edhe përgjime telefonike apo ambientale.

Një prej tyre është dhe një përgjim në makinë në datën 23 dhjetor 2018 ku në bord janë Ergys Dashi dhe Stivi Filolli, i arrestuar një ditë më parë në Tiranë.

Në atë kohë policia italiane ka arrestuar Rigels Yzeiraj, kushëririn e tij, dhe avokati i ka treguar për ekzistencën e një GPS në bord të makinës së Rigels Yzeirajt në momentin që ky i fundit ishte arrestuar.

Ergysi thotë se rrezikon 18 vite burg pasi akuzohet se është kapoja e një grupi prej 36 personash dhe se i ka premtuar avokatit 500 mijë euro brenda 2 vitesh për të zgjidhur çështjen.

“Në Itali avokati im është shumë i fortë. Erdhi për mua nga Italia këtu. I kam dhënë 10 mijë euro. Qëndroi në një hotel me 5 yje, 400 euro nata”

Në një tjetër përgjim është i Ergysit me Edmond Dashin, kushëririn e Ergysit.

Ky i fundit ankohet se paguhet pak për transportimin e kokainës, ndërsa Ergysi thotë se ai është i vetmi që paguhet për pako ndërkohë që të tjerët paguhen 3 mijë euro për transportimin e 200 pakove në muaj.

Përgjimi

Ergysi: Po ti nuk kupton që ka të tjerë.. vetëm ti e Puma (Odisea Leka) sepse edhe Pumës i jap lekët kur shkon dhe I merr…. Je I vetmi që paguhesh për çdo copë … ‘bukë” .. Budalla të tjerët marrin 3 mijë euro në muaj dhe shkojnë të marin 200 pako në muaj!  Pse çfarë mendon se paret gjenden në tokë.

Edmond: Po ti e di që unë kam më shumë se një vit këtu, dhe që të punoj me 3 mijë euro në muaj jam në rregull!

Ergys: Po ti nuk ke marrë 3 mijë euro, ke marrë të paktën 5 mijë euro në muaj.. Eh .. minumi ishte 5 mijë. Duhet të thuash faleminderit Zot!