Tre mjekë të rinj, rreth të tridhjetave janë në ventilim, pasi janë prekur nga koronavirusi, në të njëjtin spital të Londrës.

Ndërsa të vdekurit nga koronavirusi në Britaninë e Madhe arritën sot në shifrën 240 persona, kryeministri Boris Johnson paralajmëroi të rinjtë që ta marrin seriozisht Covid-19, pasi nuk janë “të pamposhtur”.

Sipas një burimi nga spitali për The Sun, mjekët e rinj u prekën nga virusi Covid-19, sepse po u vinin në ndihmë pacientëve, raporton Daily Mail.

I njëjti burim paralajmëroi se virusi po prek shumë të rinj.

Ndërkohë, ushtria britanike është thirrur për të ndihmuar në shpërndarjen e ushqimit në shtëpitë e njerëzve, pasi 1.5 milion milionë njerëzve  iu tha që të qëndronin në shtëpi deri në tre muaj.

Sekretari britanik i Komuniteteve, Robert Jenrick tha që mjekët po u shkruanin qindra mijëra njerëzve me kushte shëndetësore para-ekzistuese, që të mos dilnin as për të blerë ushqime apo për të marrë ilaçe. Në vend të kësaj, atyre do t’u kërkohet të mbështeten te familja dhe banorët e tjerë për të sjellë furnizime për ta, me forcat e armatosura, supermarketet dhe sistemin shëndetësor NHS duke u koordinuar për të sjellë sende vetëm për ata të izoluar plotësisht.