Një manual trajnimi sipas standarteve të Bashkimit Evropian për njësitë policore të qenve që përdoren në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë.

Takimi i organizuar nga OSBE kishte si qëllim prezantimin e këtij manuali, që synon standartizimin e procedurave me vendet partnere për parandalimin e krimeve në këto pika. Në takim merrnin pjesë përfaqësues të njësive policore të qenve nga vende të Ballkanit Perëndimor si dhe vende të BE-së.

Parandalimi i veprimtarisë kriminale në pikat e kufirit është një nga objektivat primare të institucioneve ligjzbatuese, por edhe organizmave ndërkombëtare në vendin tonë. sinkron

“Ne kemi pasur rezultate të prekshme, gjatë vitit 2023 nga puna e strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit në drejtim të parandalimit dhe goditjes së transportit të vlerave monetare cash nëpër pikat e kalimit kufitar. Kontrollet me qen kanë dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm dhe vlera e sekuestruar e këtyre parave cash ka qenë rreth 3 milionë euro. Njëkohësisht kemi pasur raste të zbulimit të trafikimit të armëve apo lëndëve narkotike në pikat kufitare”,- bëri të ditur Saimir Boshnjaku, drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Manuali i trajnimit do t’i shërbejë njësive policore të qenve për rritjen e kapaciteteve të tyre dhe sidomos qenve K9 duke marrë edhe eksperiencat më të mira në këtë fushë të vendeve të BE-së.

Ky takim ka për qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe afrimin me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është arsyeja pse është krijuar në nivel rajonal. Këto eksperienca mblidhen për të rritur performancën e qenve të policisë dhe gjithashtu edhe të shoqëruesve të qenve në terren”,– deklaroi Xhenis Ballço, zyrtare vendase e Projektit të Armëve të Vogla e të Lehta, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Takimi i dytë rajonal zhvillohet me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në koordinim me projektet e OSBE-së si dhe me mbështetjen financiare të BE-së, Gjermanisë dhe Francës.