Albina Peposhi, nga shkolla “Besnik Hidri” në Shënavlash, është një ndër 31 nxënësit ekselentë të Durrësit. Maturantja ka fituar për dy vite rresht olimpiadën kombëtare të informatikës, ndërsa që nga mosha 12-vjeçare është fokusuar totalisht në këtë fushë.
Megjithëse është ende në moshë shumë të re, prej dy vitesh Albina është e punësuar online në një kompani polake. Maturantja synon që edhe në të ardhmen të vazhdojë këtë rrugë që ka nisur mjaft herët.
“Punoj si programuese 4 orë në ditë për një kompani polake. Nëse përmirësohem edhe më tej është shumë e lehtë të gjej punë. Duhet që të rinjtë shqiptarë të jenë sa më të fokusuar drejt informatikës, programimit etj duke qenë se ka gjithnjë potencial.”
Ensev Miraka, ish-maturanti i “Naim Frashëri” është ndër 40 ekselentët e Maturës Shtetërore në shkallë vendi. Për të, mirënjohja e sotme nga ana e bashkisë është një ogur i mirë për vlerësimin e të rinjve të talentuar.
Këtë vit, Miraka nis studimet në degën Inxhinieri Informatike dhe me profesionin e tij synon të ndihmojë njerëzit në të ardhmen.
Një tjetër ekselente e Maturës Shtetërore është edhe ish-maturantja e shkollës “Rilindja”, Artemisa Demushi. E lumtur që u vlerësua sot nga bashkia e Durrësit, ajo rrëfen për “DurrësLajm” planet për të ardhmen.
“Sapo kam mbaruar vitin e tretë dhe do të vazhdoj studimet për stomatologji. Jam shumë e lumtur sot, sepse mendoj se gjithçka që kam bërë m’u shpërblye në një farë mënyre”,– thotë ajo.
Bashkia e Durrësit ka dhënë sot shpërblime financiare për 31 nxënësit e ekselencës të shkollave të mesme, 10 nga të cilët janë renditur ndër më të mirët e Maturës Shtetërore në të gjithë vendin, ndërsa nxënësit e tjerë ishin fitues të Olimpiadave Kombëtare.
M.B.