PATRA, 20 shkurt 2013 – Tre shtetas shqiptarë i kanë thyer nofullën një shtetasi grek, simpatizant i partisë neonaziste greke "Agimi i Artë". Sipas mediave greke duket se arsyeja e rrahjes së të riut grek ka qenë një koment i tij në "Facebook" kundër shqiptarëve. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qytetin e Patras dhe sipas agjensisë greke "I News" të rinjtë shqiptarë e kanë parë në rrugë shtetasin grek dhe e kanë njohur përmes fotografisë së vendosur në rrjetin social.

Ata e kanë ndaluar dhe e kanë pyetur: "Ti je ai që do vrasësh shqiptarët?" Më pas ata e kanë rrahur të riun grek dhe janë larguar. Greku ka përfunduar në spital me nofullën të thyer dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Familjarët e tij janë drejtuar menjëherë në rajonin e policisë për të bërë denoncimin. Autoritetet greke i kanë identifikuar shqiptarët nëpërmjet fotove dhe kanë zbuluar se njëri prej tyre ishte me precedentë penalë, pasi më parë ishte përfshirë në një tjetër konflikt. Çështja ka kaluar në Prokurori, por i riu shqiptar që akuzohet se ka kryer agresionin po hetohet në gjendje të lirë, pasi është në moshë të mitur.

Partia neonaziste "Agimi i Artë", me një mbështetje gjithnjë në rritje në Greqi deri në 9.7%, shquhet për retorikën e saj të ashpër për të huajt dhe emigrantët shqiptarë në veçanti, por edhe për qëndrimet e saj mbi të ashtuquajturin Vorio-Epir dhe historinë e Shqipërisë e shqiptarëve.