Një natë më parë, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi një rast të rëndë dhe skandaloz. Një prind denoncoi se vajza e tij është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në datën 1 nëntor 2023 dhe si pasojë të 3-vjeçares i është thyer këmba.
Këtë të martë ka reaguar Ministria e Arsimit dhe e Sportit që thotë se kopshti në fjalë vepronte në kushtet e paligjshmërisë, pasi ishte pa licencë. Për këtë, arsye, MAS thotë se ka kërkuar nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake mbylljen e menjëhershme të kopshtit.
“Ministria e Arsimit dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve. Pas transmetimit të ngjarjes së rëndë në emisionin “Stop” në Tv Klan, Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëhershme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licencuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, njoftoi MAS.
MAS shprehet se ka ngritur një Task-Torcë për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët. Ministria njofton se nuk do të tolerohet asnjë rast i dhunës ndaj fëmijëve.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoriatet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që institucionet arsimore, publike apo private, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e të drejtave themelore të tyre dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Ministria e Arsimit do të jetë e vendosur në luftën kundër dhunës në ambientet arsimore për të siguruar që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur”, njoftoi Ministria e Arsimit.