Tiranë, 15 gusht 2014 – Jemi në kulmin e sezonit veror, ata që kishin menduar që do t’i shpëtonin temperaturave të larta të nxehtit “afrikan” u gabuan. Tashmë të gjithë po mësyjnë bregdetin e mrekullueshëm të vendit tonë, nga Velipoja e deri në Ksamil, për të përballuar këtë vapë mbytëse, ku deti duket si alternativa e vetme. Por Shqipëria me potencialin turistik që disponon mund të ofrojë më shumë sidomos për ata që kërkojnë të lëvizin, të provojnë eksperienca të reja, apo të sfidojnë veten, si p.sh., zhytjet nënujore, në fluturimet e organizuara, sportin e adrenalinës rafting, ecjet në alpet magjepsëse edhe të tjera aktivitete në atë që quhet turizmi i aventurës. Sigurisht që në qoftë se ajo që kërkon nga pushimet është vetëm të shijosh një “cocktail” buzë detit dhe kaq, kjo tendencë në zhvillim e sipër me rritjen më të shpejtë në industrinë e turizmit, nuk bën për ty. Megjithëse përcaktimi i fjalës aventurë është paksa i ngatërruar sepse për dikë ngjitja në malin e Dajtit mund të jetë po e njëjta gjë sikurse ngjitja në majën e Everestit, por që në fakt nuk është.
Pikërisht, në kuadrin e promovimit të këtij lloj turizmi të ri në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, dëshirojnë t’ju informojnë se po organizojnë një grup prej 30 agjencish turistike të huaja dhe përfaqësues të medias ndërkombëtare, nga Adventure Travel Trade Association (ATTA) që do të vizitojë vendin tonë si pjesë e një turneu nëpër Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni nga data 28 Gusht – 31 Gusht. Bëhet fjalë për ardhjen për herë të parë të një ndër grupimet më elitare dhe profesionale në ushtrimin e turizmit të aventurës në rang botëror. Mjafton të përmendim faktin që në këtë grup do të bëjnë pjesë edhe të dërguar nga “Lonely Planet”, kuptojmë rëndësinë dhe prestigjin që do të ketë ky tur familjarizues. Kujtojmë që “Lonely Planet” është guida turistike më e madhe në botë dhe jehona që do të marrë, sigurisht që do të ndikojë jo pak në rritjen e reputacionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si një destinacion që ka shumë për të ofruar, tanimë edhe produktin e turizmit të aventurës. Por jo vetëm kaq, agjentë të kompanive të mëdha dhe “travel writer”, (shkrimtarë udhëtimesh), gazetarë me reputacion nga SHBA, Kanadaja, Suedia, sa për t’ju përmendur disa nga vendet ku ata vijnë, do të njihen nga afër me çdo mrekulli që natyra i ka falur Shqipërisë, në një tur ku AKT-ja është kujdesur që të jetë sa i jashtëzakonshëm aq edhe i vështirë për t’u harruar nga secili pjesëmarrës, në mënyrë që promovimi dhe marketingu mbi vendin tonë të jetë real dhe i ofruar në mënyrën më profesionale.
Duhet pranuar se në Shqipëri ekzistojnë agjenci që ushtrojnë këtë aktivitet prej kohësh dhe e kanë futur vendin tonë në këtë treg të ri turistik. Por kjo vizitë do të hapë një dritare të re dhe do të krijojë bazat për të ofruar një standard të lartë në shërbimet e këtij lloj turizmi.
Po çfarë është turizmi i aventurës, për të gjithë ata që po lexojnë për herë të parë mbi këtë term?
Sipas asaj që përkufizohet nga Universiteti George Washington në SHBA & ATTA, është udhëtimi i një personi jashtë mjedisit normal ku jeton për më shumë se 24 orë dhe jo më shumë se një vit rradhazi. Ndërkohë një udhëtim aventure mund të konsiderohet në qoftë se përmbush 2 nga 3 kriteret e mëposhtme.
1 – Ndërveprim me natyrën
2 – Shkëmbime me kulturën e vendit që viziton
3 – Aktivitet fizik.
Për ta ilustruar me shembujt përkatës në vendin tonë dhe për ta bërë më të lehtë për lexuesit, udhëtimi i aventurës mund të jetë birdwatching (vëzhgimi i shpendëve) në lagunën e Karavastasë, hiking (ecje në këmbë) në Theth apo Vermosh, biking (çiklizëm) në ajrin e pastër të Dajtit apo rafting në kanionet e famshme të Osumit, gjithashtu siç edhe ju kemi njohur me artikujt e mëparshëm të risisë me emrin, Jeep Safari.
Qëllimi i këtij udhëtimi familjarizues (Fam Trip) nuk është vetëm për të eksploruar potencialin e Shqipërisë për këtë prirje të re të turizmit, por edhe për të shkëmbyer përvojën me operatorët turistikë të vendit që janë të fokusuar në këtë produkt turistik, jo aq popullor për momentin. Me këtë rast do të organizohet nga AKT-ja një B2B(Business-to-business) market place në Llogara në datën 29 gusht, ora 16:30 në Hotel Sofo.
Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ftuar të gjithë operatorët turistikë shqiptarë, që ofrojnë këto lloj shërbimesh të marrin pjesë në këtë market place B2B, duke e parë si një mundësi unike në përditësimin e të rejave më të fundit nga ky sektor dhe rritjen e kapaciteteve te tyre. Dhe përgjigja ka qenë vërtet inkurajuese, me rreth 16 agjenci turistike të kontaktuara, më shumë se gjysma e tyre ka konfirmuar pjesëmarrjen deri më tani, duke qenë një tregues i qartë i interesimit të lartë që ka shkaktuar ky aktivitet që pritet të organizohet në fund të muajit.
Kur amerikani Leo Le Bon, ai që konsiderohet edhe si pionieri i parë i këtij lloj turizmi (bashkëthemeluesi i kompanisë së parë në botë që ofronte shërbimin e turizmit të aventurës), në 1967-n e largët nisi së bashku me 8 miqtë e tij udhëtimin përgjatë Nepal-it, askush nuk do të besonte që ishte fillimi i një rrugëtimi që sot përjetohet me emrin që e përkufizon, Aventurë.
Atyre që udhëtojnë në këtë periudhë, në drejtim të bregdetit në jug, i rekomandohet, që të ndalen në Llogara dhe të hedhin një vështrim mundësive të ofruara në këtë drejtim në shërbimet e lartpërmendura. Me siguri që do të kuptojnë se një sezon pushimesh mund të jetë më i kompletuar edhe me aktivitete të tilla që në çdo rast, minimumi që mund të bësh është t’i provosh.
Për më tepër, AKT ka hartuar një program të detajuar të 4 ditëve për pjesëmarrësit e ATTA-s gjatë udhëtimit të tyre, i cili do të jetë plot adrenalinë dhe që do të vizitojnë vende magjepsëse të Shqipërisë tonë të bukur. Për më shumë informacione rreth këtij aktiviteti mos hezitoni të na ndiqni online në faqen zyrtare në Facebook të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Visit Albania
https://www.facebook.com/VisitAlbania.al?fref=ts