Malajzi, 7 prill 2014 – Edhe një anije australiane, e angazhuar në kërkimet për avionin e humbur të Malaysia Airlines, thotë se ka kapur sinjale, të ngjashme me ato që lëshohen nga regjistruesit e kutisë së zezë. Anija “Ocean Shield” e kapi sinjalin dy herë, tha Angus Houston, që po drejton kërkimet. Ai tha se kjo është gjurma më premtuese deri më tani.
Por ai shtoi se duhet akoma më shumë informacion, pasi ata nuk e kanë gjetur akoma vetë avionin. Avioni me 239 persona në bord u zhduk më 8 mars duke fluturuar nga Kuala Lumpur në drejtim të Pekinit. Zyrtarët besojnë se avioni është përplasur në Oqeanin Indian.
Në fundjavë, një anije kineze deklaroi se ka dëgjuar sinjale si ato të kutisë së zezë. Këto sinjale tani po hetohen me ndihmën e anijes britanike HMS Echo, e cila ka pajisjet e nevojshme për të saktësuar pozicionet e sinjaleve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





