Deri në fund të Prillit, më shumë se 74 mijë individë duhet të plotësojnë deklaratën e tatimit mbi të ardhurat për vitin 2022.
Sipas të dhënave të Tatimeve, rreth 16.7 mijë janë tatimpagues me të ardhura mbi 2 milionë Lekë që kanë detyrimin e pagesës së tatimit mbi të ardhurat, ndërsa pjesa tjetër mbi 57 mijë janë të dypunësuar, kategori që u përfshi në këtë skemë që prej vitit 2020.
Të ardhurat nga ky proces kanë njohur rritje, kjo edhe nga përfshirja në këtë skemë taksimi të individëve të punësuar në më shumë se një institucion për të tretin vit radhazi.
Për pasaktësi në deklarimin e të ardhurave, informacione të gabuara apo mosplotësim në afat të deklaratës vjetore, Tatimet parashikojnë gjobë që llogaritet në 3 mijë lekë, nga 5 mijë që ishte më parë.
Të ardhurat e grumbulluara vitin e kaluar nga kjo skemë ishin 8.3 milionë Euro dhe detyrimin për deklarimin e të ardhurave personale e kishin mbi 82 mijë individë në të gjithë vendin.