“Mund të them që mesatarja është 30 punonjës në ditë që dalin nga sistemi i punës, vetëm nga sektori ynë. Po ta llogarisim deri në fund të muajit është një shifër goxha e lartë dhe mendoj se kjo është një këmbanë alarmi”.

Kjo deklaratë e bërë nga Edvin Prençe, kreu i shoqatës Pro-Export Albania dëshmon situatën mjaft të vështirë ekonomike, që po kalon industria fasone në qarkun e Durrësit gjatë  muajve të fundit.  

Luhatjet e shpeshta të kursit të këmbimit të euros dhe largimi i disa markave të njohura drejt tregjeve afrikane apo aziatike me krah më të lirë pune e kanë vështirësuar punën e sektorit fason. 

“Kursi i këmbimit ka ndikuar në rreth 10% të xhiros së fitimit të bizneseve fasone”,– thotë Prençe.

Në qarkun e Durrësit numërohen 150 biznese fasone  të tekstileve dhe këpucëve, me rreth 22 mijë të punësuar. Duke iu referuar shifrave të Institutit të Statistikave në nivel kombëtar, muajt korrik-gusht kanë regjistruar një rënie 2-shifrore përsa i përket eksporteve Made in Albania, ndërsa shumë linja prodhimi po mbyllen. 

“Shumë brand-e të huaja tashmë po largohen nga vendi ynë dhe ka një rënie drastike të porosive nga këto brende. Në korrik dhe gusht diferenca është në -27% të eksporteve shqiptare, referuar të dhënave të INSTAT për sektorin tonë. Kjo shifër dyshifrore patjetër që është shumë e frikshme. Shumë magazina në nivel evropian janë të tejmbushura dhe kanë materiale që nuk janë shitur. Gjithë këto handikape e problematika çojnë në reduktimin e porosive dhe mos mundësinë e bizneseve shqiptare të adaptohen me këto problematika”,- thotë Prençe.

Këmbana e alarmit që po bie për industrinë fasone deri më tani nuk ka nxitur strukturat shtetërore që të vihen në lëvizje.

“Kursi i këmbimit është një problem i brendshëm, por në të njëjtën kohë reagimi i institucioneve është shumë i ngadaltë. Duke mos pasur një reagim, duke mos pasur një reflektim, duke mos krijuar tavolina teknike përkatëse për këtë problematikë tashmë ne po marrim frytet e para të këqia, që janë reduktimi i vendeve të punës dhe nga ana tjetër impakti social”.

Industria fasone zë një peshë mjaft të konsiderueshme në ekonomi dhe sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat neto nga shërbimet e punës me porosi arrijnë vlerën e 625 milionë eurove.

M.B.