18 nëntor 2015 – Në kuadër të programit Evropian “Erasmus PLUS”, Qendra “Open Doors” me seli në Tiranë ka zgjedhur qytetin e Durrësit për të organizuar një aktivitet trajnues 7-ditor me rreth 30 të rinj me titull “Beingpreneur, Be Business, MAN”.
Ky kurs trajnimi ka për qëllim të pajisë të rinjtë evropianë me aftësi dhe njohuri sipërmarrëse, dhe praktika të suksesshme të krijimit të bizneseve të reja inovative. Ata vijnë nga 10 shtete të ndryshme evropiane: Shqipëri, Rumani, Turqi, Serbi, Greqi, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Lituani, dhe Maqedoni.
Në kuadër të këtij projekti dhe vetë rëndësisë së tematikës së punësimit të të rinjve, ata u pritën në ambientet e bashkisë së Durrësit nga zëvendëskryetari Zhulien Varfaj, për të ndarë eksperiencën e bashkisë së Durrësit në drejtim të nxitjes së aftësive sipërmarrëse tek të rinjtë.
Të rinjtë evropianë u njohën nga Varfaj me përvojën e pushtetit lokal të Durrësit, në mbështetjen e iniciativave sipërmarrëse të të rinjve, ideimin e start ups, etj. Zëvendëskryetari Varfaj ka nënvizuar se bashkia e Durrësit ka qenë gjithmonë në mbështetje të të rinjve për t’i nxitur ata drejt arsimimit, si një investim për të ardhmen e tyre e duke vënë theksin edhe tek arsimi profesional që është i zhvilluar në Durrës.
/portali DurresLajm/