LEZHE, 28 qershor 2013 – Vrau me dru në kokë 72-vjeçarin, pasi viktima i theu gjatë një sherri disa karrige e tavolina të lokalit.
Policia e Lezhës bëri të ditur se arrestoi dje rreth orës 12:00 shtetasin Fatjon Toska, 30 vjeç, banues në fshatin Shënkoll të këtij rrethi.
“Ndalimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale të “vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, pasi është autor i vrasjes së Pashk Prelit, 72 vjeç, lindur në Gajush dhe banues në Shënkoll të Lezhës”, bëri të ditur Policia.
Nga kryerja e veprimeve të para hetimore ka rezultuar se viktima ka thyer në gjendje të dehur disa karrige dhe tavolina te lokali i Fatjon Toskës, në Shënkoll. Pasi ka qenë duke u larguar për në shtëpi, rreth orës 22:00, i moshuari është goditur me mjete të forta (dru) në kokë.
Por, si pasojë e plagëve të marra, ai ka gjetur vdekjen. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet, nga ku më pas identifikoi dhe arrestoi autorin e vrasjes.
Mësohet se ai e ka pranuar krimin, ndërsa shkak sipas tij ishte sherri, pasi viktima i kishte thyer tavolina e karrige në lokalin në pronësi të tij.
“E qëllova me dru në kokë, sepse më theu disa tavolina e karrige, pas një sherri në lokalin tim. Jam penduar, por nuk doja ta vrisja”.
Kështu është shprehur dje në Policinë e Lezhës 30- vjeçari i arrestuar për vrasje me dashje.
Tashmë ai do të përballet me drejtësinë për krimin e kryer, ndërsa në hetim janë edhe disa të rinj të tjerë të fshatit që janë konflikttuar me të moshuarin.





