TIRANË,21 tetor 2013-Një 30-vjeçar nga Shishtaveci i Kukësit që pretendon se e dhunon bashkëshortja kërkoi sot zgjidhje të problemit në emisionin “Me zemër të hapur” në "News 24", me moderatore Evis Ahmeti. Seman Hoxha, 30 vjeç, ka 3 fëmijë, 2 djem dhe një vajzë me bashkëshorten, Mine Hoxha, dhe ajo 30 vjeç. Çifti ndodhet në proces ndarjeje që në momentin që Semani shprehet se e kapi në shtrat bashkëshorten me një burrë tjetër. “Dy vitet e fundit ajo nuk kujdeset më, as për mua as për fëmijët. Nuk bënte asnjë punë, as për të ngrënë fëmijëve. Sillej shumë keq. Një herë kur u ktheva nga ara e gjeta në shtrat me dashnorin. Burrë 45 vjeç, dhe pa pikën e turpit më dhunoi se përse i ndërhyra në jetën e saj”. 
“U martuam para 9 vitesh, vitet e para kemi shkuar shumë mirë. Më i madhi i djemve është 8 vjeç, djali tjetër 6 dhe vajza e vogël, Ajshe. Në shtator,  në orën 11 të mbrëmjes po dëgjoja zhurmë të madhe poshtë në banesë. Kur pashë, mbeta pa mend, gruaja me dashnorin, me Sulon. U trondita sepse e dashuroja, ndërsa ajo më mbylli derën me forcë, desh më zuri fytin. Djali pa skenën, ishte e turpshme”.‘Unë doja ta pranoja për hir të fëmijëve, le të rrinte se kemi 3 fëmijë, por jo aq e papërgjegjshme sa u tregua ajo. Sa herë vinte koha e korrjes së thekrit, e mbjelljes apo mbledhjes së patateve, ajo zhdukej nga fshati, shkonte tek nëna e saj. Kam shkuar atje e kam kërkuar, por babai i saj më ka kërcënuar dhe me jetë sepse ajo u kishte thënë që unë e kam dhunuar”, tregon Semani. 

Sipas Semanit, ai i është drejtuar Gjykatës së Kukësit dhe ka kërkuar divorcin, por sipas tij, familjarë të bashkëshortes kanë ndikuar në vendimin e gjykatës dhe nuk i kanë dhënë divorcin. 

“Unë dua drejtësi. Dua fëmijët e mi, ajo nuk është e përgjegjshme për veprimet që bën”. 

“Ajo më tha që fëmijët nuk janë të tutë. Unë betohem që nuk kam ngritur dorë ndaj saj kurrë, ajo më ka dhunuar shpirtërisht, psikologjikisht. E kam pranuar ashtu për fëmijët që të rriten me nënë e me babë, për hir të fëmijëve, por situata u bë e pashmangshme, e padurueshme”, thotë Seman duke u përlotur.
Gjykata e Rrethit të Kukësit i ka dhënë urdhër-mbrojtjeje Mine Hoxhës për 1 vit. 
Por ndërkohë bashkëshortja e Seman Hoxhës ndodhet aktualisht në një Qendër Rehabilitimi të Grave të Dhunuara në Tiranë së bashku me 2 fëmijët e vegjël dhe shtatzënë në muajin e gjashtë. 
Redinela Hazizaj, drejtoreshe e kësaj qendre e kontaktuar me telefon nga Evis Ahmeti, tha se Mine Hoxha ka mbërritur në Tiranë me shenja të dukshme dhune në fund të barkut, kurse 2 fëmijët e mitur kanë qenë të rënduar nga gjendja psikologjike. 


“Duke njohur Minen kam njohur një nënë tepër të përkushtuar ndaj fëmijëve. E kam takuar vazhdimisht, kam folur dhe diskutuar me psikologët e qendrës, të cilët më kanë pohuar se gjendja e saj është stabilizuar krahasuar me muajin shtator kur ajo mbërriti tek ne. Duke dëgjuar zotërinë në studio dhe duke njohur Minen, nuk i besoj deklaratat e tij”, tha zonja Hazizaj lidhur me problemin e ngritur në emisionin ‘Me Zemër të Hapur”.

Sipas Redinela Hazizaj, bashkëshorti i Mine Hoxhës, Semani ka komunikuar në telefon me djalin 6 vjeç që ndodhet me nënën në qendrën e rehabilitimit dhe i ka thënë që e ëma është grua jo e ndershme, që beben në bark e ka me burrë tjetër dhe fëmija është tronditur. 
“Unë kam një grua që ka mbërritur tek ne me shenja dhune, me urdhër-mbrojtje nga gjykata për 1 vit. Një grua me 2 fëmijë të vegjël, që nuk di të thotë një fjalë të keqe, që kujdeset dhe punon vazhdimisht dhe mendoj se nga sa dëgjova dhe në emisionin tuaj, problemi është i shoqi, zotëria me ju në studio”, u shpreh Hazizaj e pyetur lidhur me çështjen e problemit të familjes Hoxha nga Shishtaveci i Kukësit. 

http://www.balkanweb.com/bw_lajme2.php?IDNotizia=154718&IDCategoria=1