Telefonatat dhe mesazhet që nuk merrnin përgjigje kanë shqetësuar një mikun e 30-vjeçares shqiptare Franceska Blido. Ai ka njoftuar karabinierët, por kur ata mbërritën në shtëpinë e vajzës së re, në rrugën Ferrari Bonini, në Reggio Emilia, e gjetën Franceskën pa jetë. Sipas asaj që shkruajnë mediet e vendit fqinjë, dyshohet se 30-vjeçarja ka humbur jetën për shkak të arrestit kardiak.
Ajo kishte mbërritur në Itali, që në moshë të mitur së bashku me nënën e saj, por prej disa vitesh ishte ndarë nga familja dhe ishte zhvendosur në Reggio Emilia, ku punonte si bariste. Me një look pak transgresiv, me shumë pirsing dhe tatuazhe, me lente bojëqielli, Franceska, që shumë e njihnin si “Tekla”, binte në sy, sidomos me tatuazhin në formë patkoi kali në ballë, simbol i fatit dhe mbrojtjes.
Siç shkruante vetë në rrjete sociale kohë më parë, megjithëse donte të shfaqej si një vajzë e fortë dhe që ia dilte vetë, Franceska ishte prekur shumë nga humbja e parakohshme e të atit.
“Kam kuptuar se do të jem gjithnjë unë që do të kujdesem për veten, pavarësisht se nuk jam shumë e zonja. Por baba, unë e provoj, e provoj me gjithë fuqinë time. Më fal për mijëra zhgënjime dhe shumë lëndime që po të shkaktoj. E di që je pranë meje dhe se po sheh që edhe tani 30 vjeçe nuk jam shumë e zonja të kujdesem për veten. Ti sigurisht do kishe bërë një punë shumë të mirë. Herët ose vonë do të takohemi dhe e gjithë kjo do të jetë vetëm një ëndërr e keqe”, – shkruante ajo.
Duket se fati e deshi që ajo lidhje e fortë mes babait dhe të bijës, që u shkëput para kohe, të rivendosej tani. Ashtu si babai i saj, që ishte ndarë nga jeta në moshën 30-vjeçare, edhe Franceska humbi jetën në moshë shumë të re, duke lënë pas nënën Entela dhe vëllain Matteo.





