SHBA, 4 shtator 2014  – Për tre dekada me radhë, Henry McCollum dhe Leon Brown kanë mbajtur mbi shpinë dënimin e marrë për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze 11 vjeçe në Karolinën e Veriut. 

Dy vëllezërit nga nëna, njëri 50 dhe tjetri 46 vjeç, me ne fund janë të lirë falë analizave të ADN-së. Testet e reja nga vendi i krimit përfshijnë një person të tretë, i cili ka qenë prapa hekurave për një krim të ngjashëm. 

Njëri nga dy vëllezërit, me aftësi të kufizuara mendore, ishte i dënuar me vdekje. Provat e pranisë së ADN-së së një tjetër personi në vendngjarje, i cili nuk është as McCollum e as Brown, e shtynë gjykatësin të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të tyre. 

Leon Brown, adoleshent në kohën e arrestimit, kishte pranuar vrasjen pas marrjes në pyetje për disa orë rresht nga policia. Ky rast, tha avokatja e tij Ann Kirby, është një tragjedi që prek jo vetëm jetët e personave të përfshirë në të, por të gjithë sistemin tonë të drejtësisë në Karolinën e Veriut. 

Trupi gjysmë i zhveshur i 11-vjeçares Sabrina Buie u gjet në vitin 1983 pranë qytetit Red Springs dhe vetëm pak javë pas kësaj, policia ndaloi dy vëllezërit, atëherë 19 dhe 15 vjeç, edhe pse nuk ekzistonte asnjë provë fizike që t’i lidhte me krimin. 

Më vonë, ata do të pohonin se rrëfimet iu ishin marrë nën presion nga efektivët e policisë dhe në mungesë të një avokati mbrojtës. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/