Është një emër i madh, por dhe njeri shumë i thjeshtë. Tek ai shkojnë dhe janë në sinkron njëherazi e mira, e bukura, e veçanta, e qeshura, komunikimi, bujaria dhe humanizmi, njerëzorja dhe e rrezikshmja për kohën, por mbi të gjitha të qenit njeri apo siç kemi dëshirë ta konsiderojmë gjithnjë një durrsak i ëmbël për ta pirë në kupë.

Ky vit sjell në memorien tonë dy dukuri pikante për Ramazan Njalën: 90 vjetori i lindjes me 20 shkurt 2012 dhe 24 shtatori 2012, 30 vjetori i largimit nga jeta. Tentoj ta modifikoj fjalën vdekje, sepse nuk dua ta besoj se nuk e kemi më mes nesh fizikisht, pasi në memorie dhe në atë që quhet shpirt njerëzor Ramazan Njala është i përditshëm dhe është ulur këmbëkryq në gjirin tonë.

Me punën që ushtroj më bie për çdo ditë, madje disa herë në 24 orë që të lexoj dhe të përqendrohem disa minuta para pllakës së vendosur në pjesën ballore të pallatit të sportit. Më vjen mirë që aty shkruhet emri i Ramazan Njalës. Është një koiçidencë perfekte dita e vendosjes së këtij emri. Memoria dhe shënimet që kam nuk më lënë të gaboj në atë ditë, që daton 9 dhjetor 1994, thuajse 18 vite të shkuara. Teksa shtypja në Tiranë numrin special të gazetës që botoja “Teuta Sport”, kushtuar Ramazan Njalës, diku nga ora 2 e mëngjesit e datës 9 dhjetor 1994 dha shpirt disidenti i njohur, im ungj Xhavid Qesja.

1000 kopje të gazetës “Teuta Sport”, kushtuar enkas figurës së Ramazan Njalës pritnin në Durrës që të shpërndaheshin. Në orën 11.00 të asaj dite kryhej ceremonia solemne e përurimit të emrit të këtij njeriu të mençur dhe mjaft popullor në Durrës. Pikërisht është emri i atij njeriu që më bie rasti të përqendrohem disa herë në ditë. Kujtimet më vijnë aq të gjalla, sa që e kam të vështirë të pranoj faktin se Ramazan Njala jo vetëm që nuk jeton, por në 24 shtatorin e tanishëm duhet të besojmë se mbush 30 vjetorin e mosjetesës.

Një burrë i gjatë, me një buzëqeshje të lindur, me një biçikletë tip robusto kalonte çdo ditë në rrugët e Durrësit dhe  përshëndetej nga qindra bashkëqytetarë të tij. Një miqësi e lindur njëherazi me Zanin dhe e mbyllur njëherazi me largimin e tij nga jeta. Por tani kujtimet anojnë në anën e qytetarit, të atij që merr lapsin dhe hedh rradhë për të në këtë numur të rradhës të Dyrrahut tonë. Një mjeshtër i shquar i sportit, një sportist polivalent duke nisur nga portjeri i kombëtares dhe kampioneve të Partizanit diku në vitet 1945-46, në floririn e lojërave me dorë kur Durrësit ia shikonin numrin kundërshtarët në basketboll dhe volejboll.

Me Ramazan Njalën janë lidhur titujt kampion në volejboll në vitet 1953 dhe 1955. Por Zani ynë ishte i gjithanshëm dhe kudo që ka prekur mendja dhe këmba e tij, janë kujtimet më të bukura dhe më të papërsëritshme për çdo banor të Durrësit. Kolosi i sportit, kolosi i estradës së Durrësit, kolosi njerëzor i dukurive të tilla të lidhura ngushtë me qytetin si filatelist, fotograf, përkthyes, poliglot, krijues në art dhe mbi të gjitha njeriu i pazëvëndësueshëm i Durrësit të tij të artë. 24 shtatori i vitit 1982 është dita e ndarjes së tij nga jeta, dita kur i tërë Durrësi i dha lamtumirën e fundit.

Por 24 shtatori i vitit 1982 është njëkohësisht edhe pavdekësia e Ramazan Njalës. Ai njeri mbetet dhe do të jetë gjithnjë i qeshur, simpatik dhe i dashur ndërmjet nesh. Homazhet dhe nderimi për të mbeten gjithnjë të freskëta, si dashuria e tij për popullin e Durrësit.

 

KUSH ISHTE RAMAZAN NJALA

Ramazan Njala lindi në 20 shkurt të vitit 1922, në Durrës. Pasi mbaroi arsimin fillor shkëlqyeshëm mbaroi shkollën qytetëse me profil ekonomik (tregtar(. Gjatë viteve të shkollës së mesme, Ramazani tregoi aftësitë e tij sportive duke u aktivizuar me ekipet locale. Por krahas sportit, Ramazani kishte passion edhe teatrin dhe së bashku me shokët e tij bënte prova dhe mundohej të realizonte shfaqje teatrale. Gjithnjë, Ramazani krahas punës organizonte ndeshje sportive futbolli, basketbolli, volejbolli ose shfaqje e parody me këngë të muzikës popullore e të lehtë. Në vitet 1955-1956 ekipi I basketbollit dhe volejbollit të qytetit të Durrësit, ku bënte pjesë edhe Ramazani shpallet kampion kombëtar dhe I jepet titulli “Mjeshtër Sporti”. Me kalimin e kohës, Ramazani u detyrua të largohej nga sporti dhe iu rikthye pasionit të tij të dytë, teatrit. Në vitin 1964 Ramazan Njala emërohet actor I humorit në trupën e teatër estradës profesioniste “A.Moisiu”. përveç punës në estradën e Durrësit në të cilën ka realizuar mbi 90 role dhe krijuar e interpretuar rreth 70 kuplete, ai vazhdonte të përgatiste grupet artistike nëpër qendra pune, shkolla, fshatra etj. U nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë më 24 shtator 1982.