Në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të PD-së, dega e demokratëve në Durrës ka bërë një gjest simbolik, duke dhuruar 30 pako me ushqime për 30 familje në nevojë.

Kreu i PD-së Ferdinand Xhaferraj, nënkryetari Arlind Boshku së bashku me disa nga figurat e PD-së së qytetit bregdetar, bënë këtë donacion, si një mundësi për të treguar solidaritet me qytetarët në nevojë gjatë këtyre kohërave sfiduese.

Xhaferraj, duke cituar thënien e aktivistit të njohur Ralph Nader:“Nuk mund të ketë demokraci të përditshme pa qytetari të përditshme”, thotë se teksa po kalojmë kohë sfiduese, në mungesë të një shteti që vepron për qytetarët, mund të lehtësohen vetëm nga solidariteti i gjithsecilit prej nesh.

“Ne do ta bëjmë vendin tonë më të mirë duke ndihmuar dikë, duke dhuruar ose duke bërë një akt vullnetar. Për ne – është një veprim i thjeshtë, por për një tjetër – është një përvojë që ndryshon jetën, diçka që do të rikthejë besimin e njerëzve te vendi ynë. Të gjithë bashkë të bëjmë diçka të mirë çdo ditë për bashkëqytetaret tanë në nevojë. Le ta bëjmë vendin tonë krenar!”, thotë Boshku në një status në faqen e tij në “Facebook”.