Me rastin e 30-vjetorit të shkollës “Vinçenc Prendushi” në Durrës, kryebashkiakja Emiriana Sako ka marrë pjesë në ceremoninë festive së bashku me Nuncin Apostolik të Vatikanit në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi, drejtoreshën e shkollës Suor Donata Montagnoli, mësues, nxënës e prindër si dhe personalitete të fushave të ndryshme që kanë mësuar dikur në këtë shkollë.
Nxënësit dhe mësuesit kishin përgatitur me këtë rast një program të veçantë artistik.
“Janë 30 vite punë e palodhur e me plot përkushtim e drejtueses Suor Donata dhe e të gjithë stafit pedagogjik ndër vite ndaj brezave të tërë që janë edukuar dhe arsimuar në bankat e kësaj shkolle.
Në këtë ditë të veçantë përkujtuam edhe imzot Vinçenc Prendushin me rastin e 75-vjetorit të vdekjes. Qyteti ynë është i lidhur historikisht me këtë figurë të shquar, martir shqiptar katolik njëkohësisht atdhetar, poet, foklorist, publicist e përkthyes“, shkruan Sako në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe disa foto nga aktiviteti.