Rradhët e gjata në Poliklinikën e Specialiteteve të ndryshme në Durrës do të jenë një kujtim i keq i së shkuarës. Kjo pasi aplkimi i sistemit online që planifikohet nëpërmjet mjekut të familjes i ka reduktuar ndjeshëm ato.
Përpara aplikimit të sistemit online, rradhët e gjata dhe fluksi ishte mjaft i lartë në ambulancën qendrore të qytetit e cila frekuentohet nga individë të shumtë që kanë nevojë për ndihmën e bluzave të bardha.
Qytetarët shprehen të kënaqur për këtë ndryshim. Sipas tyre, në harkun e 15 minutave arrijnë të marrin shërbimin për të cilin ata kanë nevojë, ndërkohë që më herët u duheshin dy apo tri ditë të kryenin punë.
Shefja e Poliklinikës së Specialiteteve Durës, Adriana Hatellari thotë se në një ditë të zakonshme në ambulancën qendrore paraqiten 200-300 qytetarë për të marrë shërbime të ndryshme.
Përgatitja e dokumentacionit mjekësor për shkollat apo rikthimin në punë pas pushimeve të verës shton fluksin e qytetarëve që kërkojnë shërbime pranë Poliklinikës, e cila iu shërben mbi 300 mijë banorëve të Bashkisë Durrës që ka nën administrim tre qytete dhe 39 fshatra.





