TIRANE, 28 dhjetor 2013 – Familja e presidentit Bujar Nishani, ashtu si çdo vit tjetër, edhe sivjet zgjedh shtëpinë. Çifti Nishani nuk mjaftohet vetëm me praninë e fëmijëve, por duke dashur një tryezë sa më të madhe e sa më shumë atmosferë, kanë ftuar edhe të afërmit. Detajet na i rrëfen Zonja e Parë: “Natën e Vitit të Ri do e kalojmë në shtëpi, si çdo vit tjetër, dhe sigurisht, me të afërmit tanë që i ftojmë gjithmonë. Do të jenë fëmijët dhe prindërit e mi, bashkë me tim vëlla. Vitin e kaluar kishim të ftuar prindërit e Bujarit bashkë me vëllezërit, ndaj e bëmë me radhë (qesh). Tryeza e festës është gjithmonë ajo tradicionalja. Kemi bërë gati bakllavanë dhe unë dje bëra kadaifin. Dikur i gatuaja të gjitha vetë. Tani që kemi kuzhinieren, bashkëpunojmë (qesh). Janë ca pjata, si sallata ruse apo disa lloje fërgesash të veçanta që i bëj vetë, pasi familja është mësuar me dorën time. Pastaj për gjelin, përsheshin e të gjitha të tjerat punojmë të dyja, bashkë me kuzhinieren”.
lir Meta: Monika gatuan, gocat shtrojnë tavolinën, burrat shijojnë
Mësuam se në familjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, përgatitjet për festën e Vitit të Ri fillojnë më herët. Kështu, e zonja e shtëpisë, Monika Kryemadhi, ditë më parë ka përgatitur dy ëmbëlsira. Ajo ka gatuar bakllavanë tradicionale dhe sheqerpare. Edhe në natën e ndërrimit të viteve, është vetë deputetja Kryemadhi që do të përgatisë të gjitha pjatat. Por Mona nuk do të gatuajë vetëm, pasi ajo do të ketë ndihmën e nënës së saj. Detyra për të përgatitur tryezën e festës u është lënë dy vajzave të familjes, Borës dhe Erës. Kështu, burrave të shtëpisë nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shijojnë.
Klajda Gjosha: Deri në 20:30 në punë, gjelin e detit do ma gatuajë mami
Ky fundvit e gjeti Klajda Gjoshën me dy ndryshime të rëndësishme në jetën e saj. Ajo u bë ministre e Integrimit të Shqipërisë dhe zonjë shtëpie, pasi në muajin gusht u martua. Por duket se nata e ndërrimit të viteve nuk e ka shkëputur ministren nga tradita. “Natën e ndërrimit të viteve do e kaloj në shtëpi me familjen. Edhe tavolinën do e përgatis vetë, bashkë me sallatrat. Po unë nuk shkëputem dot nga tradita, ndaj gjelin e detit me përshesh e dua patjetër. Sigurisht që nuk do kem kohë ta gatuaj vetë, pasi edhe në datën 31 unë do të jem në punë deri në orën 20:30. E kam të pamundur që të shkëputem më herët. Por për gjelin e detit do të kujdeset mamaja ime, kështu që do e gjej gati”, – tregon duke qeshur z. Klajda për “Gazeta Shqiptare”.
Saimir Tahiri: S’kam pasur kohë të mendoj për festat, ende asnjë plan për mbrëmjen e ndërrimit të viteve
Nata e Vitit të Ri në familjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, zakonisht kalohet në shtëpi. Mirëpo, sivjet duket se ata janë përqendruar aq shumë tek puna, saqë kanë harruar të bëjnë plane për festa. Ja çfarë na rrëfeu vetë ministri: “Nuk kam pasur kohë as ta mendoj se ku do e kaloj natën e Vitit të Ri. Duhet të më merrni në telefon në datën 31 që t’ju them ku jam (qesh). Zakonisht e kalojmë në shtëpi me familjen. Edhe sivjet besoj se kjo traditë nuk do të ndryshojë, por konkretisht nuk ju them dot gjë, se nuk e di ende. As ime shoqe nuk mendoj të ketë bërë ndonjë plan, se do e kisha marrë vesh (qesh)”.
Mimi Kodheli: Jam zonjë shtëpie, s’u shmangem detyrimeve
Siç është shprehur edhe më herët, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e pëlqen kuzhinën dhe gatuan mjaft mirë. Përveçse një grua në karrierë, ajo është edhe një amvisë mjaft e zonja. Sipas ministres, dita e festës është më e “vështirë” për gratë sesa për burrat. “Për një grua gjithmonë është pak më e vështirë sesa për një burrë. Janë disa detyrime të cilat duhet me kënaqësi t’i përmbush dhe jo domosdoshmërisht e gjej kohën për ta bërë këtë gjë. Por të jeni të sigurt që unë në familje jam një grua si çdo zonjë shtëpie, mundohem të mos i lë pas dore detyrat e mia”, – është shprehur ajo. Zonja Kodheli, natën e ndërrimit të viteve do të jetë në shtëpi, pranë familjes.
/BlueTooth/





