Itali, 1 prill 2014 – Janë dënuar me 7 deri në 13 vite burg, 4 pengmarrësit e biznesmenit italian Andrea Calevo, ngjarje kjo e ndodhur më 16 dhjetor 2012. Dënimi më i lartë është dhënë për italianin Davide Bandoni, i cili duhet të kalojë pas hekurave plot 13 vite. Ndërkohë për tre shqiptarët, pjesë e grupit pengmarrës, gjykata italaine ka dhënë dënimet respektive: Simon Halilaj 11 vjet e 8 muaj; Emiljano Shota 12 vjet; Fabion Vila 7 vjet e 8 muaj. 4 të arrestuarit akuzoheshin për pengmarrje me qëllim zhvatje. Për tre shqiptarët, gjykata ka vendosur dëbimin e tyre në Shqipëri, pas vuajtjes së dënimit. I riu shqiptar Emiljano Shota u vetdorëzua në muajin qershor të 2013 në polici, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Fill pas lirimit të biznesmenit italian, Shota kishte mundur të largohej nga Italia dhe fshihej prej muajsh tek të afërmit e tij në fshatin Bilaj të Krujës.

Biznesmeni

Pasi gjykata dha dënimin për pengmarrësit e tij, biznesmeni Andrea Calevo u shpreh se ishte gati t'i falte ata. sipas tij, e vetmja gjë që kërkonte familja e tij nuk ishte hakmarrja, por mundësia për të harruar gjithçka kishte ndodhur ato ditë. 

Ngjarja

Biznesmeni 31-vjeçar Andrea Calevo u mor peng mbrëmjen e 16 dhjetorit të vitit 2012 në shtëpinë e tij. Më 21 dhjetor familjes i mbërriti kërkesa e pengmarrësve: “8 milionë euro në këmbim të lirimit të Calevos”. Sipërmarrësi u lirua falë operacionit të policisë paraditen e 31 dhjetorit, ku e gjet me këmbë e duar të lidhura në bodrumin e një vile në zonën industriale të Sarzanës, pak kilometra larg Lericit. Biznesmeni Calevo u lirua 15 ditë pas pengmarrjes. Menjëherë pas ngjarjes autoritetet italiane arrestuan katër persona, ndërsa shpalli në kërkim Emiljano Shotën. Në pranga ra pronari i vilës ku u gjet Calevo, 70-vjeçari sipërmarrës ndërtimi Pierluigi Destri, nipi i tij 23 vjeç Davide Bandoni, si dhe dy punëtorë shqiptarë, Fabjan Vila 20 vjeç dhe Simon Halilaj 26 vjeç.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/