26 korrik 2015 – Në 6 muajt e lënë pas në vitin 2015 në Shqipëri janë birësuar 32 fëmijë, mes tyre dhe një fëmijë me virusin HIV-AIDS. Këto janë shifrat, të cilat kryetari i Institutit të Birësimeve Genci Terpo i bën publike në një intervistë për ‘A1Report’.
Postulati i institucionit që z. Terpo drejton, mbetet gjetja e një familjeje për një fëmijë të braktisur, dhe jo gjetja e një fëmije për çiftet që nuk kanë një fëmijë biologjik.
“Tendenca jonë është pikërisht që të bëjmë një shtrirje sa më të barabartë dhe me agjencitë me të cilat ne bashkëpunojmë. Kuptohet çdo agjenci ka karakteristikat e saj, ka agjenci të cilat janë të prirura për të birësuar fëmijë me nevoja speciale, pra fëmijë me probleme shëndetësore dhe kjo është gjë shumë e mirë. Jo më larg se dy muaj më përpara ne birësuam një fëmijë me HIV-AIDS i cili ishte një rast shumë i veçantë dhe ishte shumë e vështirë për të gjetur një familje, përgjithësisht një familje që të ishte e gatshme për ta birësuar atë fëmijë”, shprehet Terpo.
Ndërsa, sa i përket procedurave që duhet të kalojë një çift që interesohet për birësimin e një fëmijë, sipas legjislacionit shqiptar ai së pari duhet të paraqesë një kërkesë pranë këtij instituti dhe nëse gjithçka përputhet mes fëmijës, çiftit dhe procedurave, finalizimi bëhet brenda 6 muajsh deri në 1 vit në varësi të rasteve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah” /