Sot është 32-vjetori i themelimit të degës së Partisë Demokratike në Durrës. Kryetari i saj, Igli Cara ka takuar këtë të hënë dy prej themeluesit të PD Durrës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cara shprehet se “32 vite më parë, u krijua PD Durrës, nga idealistë dhe intelektualë, që i bëjnë nder sot e kësaj dite, jo thjesht këtij subjekti politik, por të gjithë qytetit e më gjerë.”

Më tej, ai shton se këto 32 vite kërkojnë reflektim për të kuptuar atë që është bërë mirë dhe atë që është bërë keq.

Postimi i plotë:

Sot dita nisi me një takim të veçantë, me dy nga themeluesit e nderuar të PD Durrës, Bardhyl Baltëza dhe Shkëlqim Shtylla.

Do të dëshiroja t’i takoja të gjithë, por për fat të keq, disa nuk janë më midis nesh dhe disa të tjerë nuk jetojnë në Durrës.

32 vite më parë, u krijua PD Durrës, nga idealistë dhe intelektualë, që i bëjnë nder sot e kësaj dite, jo thjesht këtij subjekti politik, por të gjithë qytetit e më gjerë.

Emrat dhe kontributi i tyre do të kujtohen me mirënjohje gjithmonë, pasi vunë një gur themeli në PD Durrës.

Duke shkelur në një rrugë të panjohur, ata i krijuan mundësi mijëra qytetarëve durrsakë të bëheshin pjesë e kësaj familjeje politike, që përfaqëson partinë e parë opozitare në Shqipëri, e cila ka ndryshuar rrjedhën e historisë, pasi i hapi rrugën pluralizmit politik në vend.

E kuptueshme që ky hark i gjatë kohor prej 32 vitesh, kërkon reflektim, për të kuptuar se çfarë është bërë mirë ose jo.

Brezat ja lënë vendin njëri-tjetrin, por pa harruar asnjëherë kontributin e atyre që i dhanë jetë PD Durrës. Ndaj, do t’i jemi mirënjohës gjithmonë firmëtarëve të parë, që në 26 dhjetor të 1990 formësuan PD Durrës.

Faleminderit me zemër!