Një 32-vjeçar i arrestuar në kuadër të operacionit të zhvilluar në Greqi, iniciuar nga komunikimet në platformat e enkriptuara, është edhe Andon Salati, 32-vjec, lindur në Vlorë e banues në Nea Smyrni të Athinës.
Ai konsiderohet një nga krerët e një prej grupeve kriminale në bashkëpunim me Denis Grabockën. Salati, i cili njihet me pseudonimet “Sal”, “Salah” dhe “Toni”, rezulton përdorues i “Sky ECC” por edhe “Encrochat”.
Grupi i tyre rezulton i përfshirë në trafikun e marijuanës dhe kokainës nga Spanja dhe Shqipëria për në Greqi. Salati në shkurt 2016 rezulton të jetë ndaluar nga policia shqiptare në pikën kufitare të Kakavijës mes 148 mijë euro cash, të cilat po tentonte t’i fuste në Shqipëri, por për këtë është ndjekur në gjendje të lirë.
Nga viti 2018 deri në vitin 2020, ai ka qenë i burgosur në Koridhalo si kreu i një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike në Athinë dhe në Mykonos. Pavarësisht kësaj, ai vazhdonte kontrollin e trafikut dhe shpërndarjes së drogës nga burgu, përmes platformave të kriptuara.
Në mesazhet e shkëmbyera nga Andon Salati, gjatë kohës që ishte i burgosur, me Fotio Mplantoumi-Sioho, i burgosur gjithashtu në burgjet franceze, ai përshkruan situatën brenda burgut dhe në veçanti për komoditetet që ka si celulari, televizori inteligjent, si dhe router për internet.
Ai i referohet marrëdhënieve të mira që ka me punonjësit e burgut, se me ndihmën e gardianëve vendos celularët në qendrën e paraburgimit, njeh një kryegardian dhe një gardian që kur punonin në Mykonos dhe se disa mbrëmje gjatë turnit të tij, gardiani përdor kokainë “i merr disa hundë”.
Ai tregon se gjendja në burg ishte më e mirë para 2 vitesh, pasi atëherë të burgosurit pinin pije deri në orët e vona të natës dhe disa kishin edhe shoqërinë e femrave, të cilat i fuste një “kryegardian”.
Andon Salati dhe Denis Grabocka me biznese në Greqi
Andon Salati dhe Denis Grabocka rezultojnë pronarë të fshehtë të një kompanie që jep makina me qira në Athinë, me pronarë të regjistruar familjarë të tyre. Konkretisht kompania “CARENT” ka në pronësi 50 automjete dhe 18 motorë, disa prej të cilave janë përdorur nga anëtarë të organizatës ose janë sekuestruar në ngjarje të ndryshme.
Kompania u jepte me qira automjete anëtarëve të organizatës, me qëllim që ata të lëviznin nën hijen e një mbulesë ligjore, duke shmangur identifikimin nga autoritetet e drejtuesve të vërtetë (madje ka pasur raportime për marrjen me qira të automjeteve nga kompania me dokumente fals identifikimi, pa mundur të konstatohet nëse ka ndodhur një gjë e tillë) dhe për të shmangur konfiskimin e mundshëm të automjeteve private të transportuesve të drogës, pasi automjetet me qira të sekuestruara për transport droge i kalojnë kompanisë përkatëse.