Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë burg me afat ditor 45 ditë për tre të arrestuarit, administratorin e kompanisë dhe dy punonjësit e kompanisë private të skanerit lidhur me sasinë e 33.5 kg kokainë që u sekuestrua në kontejnerin me banane dy ditë më parë.

Gjyqtari Paulin Cera dha masën 45 ditë burg derisa Prokuroria të mbledhë prova për implikim për shtetasit:

Petrit Demishaj, 57 vjeç administratori i kompanisë,

Alban Naziraj, 48 vjeç, operator skaneri,

Artur Sevdaraj, 48 vjeç, imazhier skaneri,

për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Falsifikim kompjuterik”.

Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi Trifon Murataj, pronari i kompanisë së bananeve.

Tre të arrestuarit kanë mohuar akuzat duke deklaruar se çdo gjë e kanë kryer konform ligjit. Ndonëse mbrojtja e tyre kërkoi lirimin e të arrestuarve nga salla e gjyqit, ose detyrim paaraqitje, gjykata caktoi arrest në burg me afat si kohë e mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e palëve, ndërsa prokuroria pritet të sigurojë prova të tjera që mbështesin akuzat.

ARRESTIMI

Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxori të pastër ngarkesën me banane.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.