Jetmir Koleci, 33-vjeçari që qëlloi me armë drejt vëllezërve Ilir dhe Astrit Halili, pasditen e së dielës, ndodhet ende në kërkim.
Konflikti ka nisur rreth 2 muaj më parë, edhe pse më herët mes tyre ka pasur hyrje-dalje familjare. Mësohet se ka qenë vetë Jetmir Koleci, i cili dyshohet se me një llogari false në Instagram i ka shkruar mbesës së mitur 13-vjeçare të vëllezërve Halili, duke e ngacmuar.
Vajza e mitur, edhe pse llogaria në fjalë ka qenë pa emër real, mësohet se ka arritur ta identifikoj 33-vjeçarin në bazë të gjuhës së komunikimit. Për këto mesazhe ajo ka njoftuar familjarët e saj dhe disa prej vëllezërve të familjes Halili që mësohet se e kanë rrahur Kolecin.
Ai është dhunuar rreth një muaj më parë dhe ka përfunduar në spital, por ka refuzuar të tregojë detaje për policinë duke deklaruar se nuk i njihte personat që e kanë rrahur. Në vijim, Jetmir Koleci, për disa ditë me radhë i ka provokuar vëllezërit me makinë duke xhiruar gomat, deri ditën e diel kur vëllezërit Halili kanë dalë me shpejtësi dhe sapo janë afruar ka qëlluar me armë.
Policia po punon për kapjen e tij.





