Pas arrestimit të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe nëpunëses Laureta Sheto, SPAK arrestoi administratorin dhe inxhinierin e firmës “Dricons” të cilët kishin paguar 330 mijë lek ryshfet me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Sipas SPAK janë grumbulluar prova që krijojnë inxhinier i firmës Dricons sh.p.k, Silvi Shehu pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 lekë nga banesa administratorit Vladimir Topi, ja ka dërguar më pas punonjëses së ministrisë së shëndetësisë Loreta Sheto, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, kjo e fundit u kap në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar nëpërmjet korrupsionit.
Gara midis tetë kompanive prej të cilave doli fituese nëpërmjet korrupsionit Dricons , e cila për vlerën e 800 mijë lekëve do të supervizonte rikonstruksionin e disa qendrave shëndetësore në Tiranë dhe në Durrës nuk ishte e vetmja që ajo ka fituar.
“Në vijim të njoftimit të datës 03.06.2023, informojmë se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi Silvi Shehu, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt”-njofton SPAK.
Top Channel ka mësuar se fitimet e firmës janë dyfishuar në vitin 2021. Nëse shohim aktivitetin e saj vërejmë se pikërisht kjo firmë me administrator Vladimir Topin ka fituar plot 213 kontrata publike me qeverisjen vendore nga të cilat ka përfituar më shumë se 36 milionë lekë. Numri më i madh i kontratave ishte me qeverisjen vendore në Malësinë e madhe, Shkodër dhe Krujë.