Në fillim të kësaj jave, një gjykatë në New York dënoi me 35 vite burg një prej trafikantëve kolumbian më të mëdhenj të drogës, për akuzat e krijimit të një skeme mashtruese multi – milionë dollarëshe dhe prodhimin e tonelatave të kokainës që ai e trafikonte në të gjithë botën.

Daniel Barrera Barrera, i njohur gjithashtu si “Loco” apo “I çmenduri”, u dënua nga gjykatësi Gregory Woods, pasi u shpall fajtor për disa akuza që lidheshin me narkotikët, si dhe pastrimin e parave.

Woods i vuri gjithashtu një gjobë prej 10 milionë dollarësh, si dhe e urdhëroi të dhuronte 10 milionë të tjera, ndërsa e quajti kolumbianin “një njeri inteligjent dhe të talentuar, ndoshta edhe me dhunti”, pasi nga punëtor në një fermë u bë koka e një prej organizatave më të dhunshme dhe famëkeqe të trafikimit të drogës.

Duke folur nëpërmjet një përkthyesi, përpara dhënies së vendimit, Barrera tha se donte që të kishte mundësinë të dilte nga burgu një ditë, për të parë nipërit.

“I kërkoj falje familjes time për çdo vuajtje që u kam shkaktuar”, tha ai.

Sipas autoriteteve, Barrera, 48 – vjeç, ishte kthyer në një prej trafikantët më të kërkuar të dy dekadave të fundit, deri në momentin e kapjes së tij në Venezuelë në 2012 –ën, pas disa vitesh që i fshihej drejtësisë.

Lordi kolumbian i drogës iu nënshtrua disa operacioneve plastike dhe madje u përpoq të digjte shenjat e gishtërinjve me acid për të fshehur identitetin e tij.

Një mal me prova u mblodhën kundër Barrerras, përfshirë fotografi dhe dokumente që lidheshin me konfiskimin e sasive të mëdha të kokainës në brigjet e Venezuelës e Floridas.

Hetuesit thanë se, nga viti 1998 deri në 2010 – ën, Barrera drejtonte prodhimin dhe trafikimin e kokainës dhe kishte prodhuar përafërsisht 5 mijë kilogramë kokainë në muaj, duke çuar në një sasi prej më shumë se 720 ton kokainë të prodhuar gjatë gjithë kohës që drejtonte këtë skemë.

Ai blinte kokainë të papërpunuar nga grupi i majtë FARC dhe e përpunonte atë në laboratorët e zonës, në Kolumbi.

Kjo perandori droge gjeneronte miliona dollarë, që Barrera i pastronte dhe i mbronte me dhjetëra truproje, pjesa më e madhe prej të cilëve kërcënonin apo vrisnin individët që u kishin para borxh apo përbënin kërcënim.

Në mars të 2010 – ës, Departamenti i Thesarit të SHBA e bëri Barreran pjesë të listës së narkotrafikantëve më të kërkuar kolumbian.

Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos e quajti Barreran “një prej kapove më të mëdhenj të mbetur gjallë”.

Ai u arrestua në Shtator të 2012 – ës në Venezuelë. El Loco u dërgua në Kolumbi dhe me kërkesë të SHBA –ve u ekstradua, ku u përball me akuza të ndryshme në Manhattan, Brooklyn e Miami.

Zyrtarët venezuelianë i konfiksuan atij shtëpi, ferma, jahte, aparamente dhe 48 automjete./tvklan.al