Me rastin e 35-vjetorit të eksodit të parë masiv nga porti i Durrësit, shoqata detare “Adrijoni” organizoi një ceremoni përkujtimore në hyrjen kryesore të Portit Detar pranë Velierës.
Pjesëmarrësit që morën fjalën kujtuan detaje nga ato ditë të trazuara të marsit të vitit ’91 (5, 6, 7), ku rreth 30 mijë qytetarë të Durrësit dhe jo vetëm “thyen” portin për t’u imbarkuar në anijet e flotës tregtare për të shkuar drejt tokës së premtuar, Perëndimit.
Siç kujtojnë nga ato ditë mekanikët Vlash Pjetri dhe Vlash Lala, marinarë tek anijet Skënderbeu dhe Tirana, ato ditë ishin më të vështirat e viteve të tyre të gjata në detyrë.
Hamdi Domi, oficer i Kapitenerisë së Portit të Durrësit në ato vite në një prononcim për “DurrësLajm” thotë se shoqata Adrijon propozon, me rastin e këtij 35-vjetori, që autoritetet vendore të ngrenë një përmendore simbolike për kujtimin e këtyre datave, që shënjuan historinë e viteve të para të demokracisë shqiptare.
“Eksodi i vitit 1991 ishte një nga ngjarjet më të veçanta dhe më të vështira në gjithë eksperiencën time në punë. Ishte një situatë e paimagjinueshme dhe jashtë çdo norme detare për mënyrën se si u zhvillua lundrimi i anijeve në ato ditë. Të them të drejtën, ne u përballëm me shumë vështirësi. Morëm të gjitha masat që kishim mundësi për të komanduar atë situatë kaotike. Ishte shumë e vështirë të komandoje ekuipazhin dhe njëkohësisht mijëra qytetarë që kërkonin të hipnin në anije, pa pasur njohuri për rregullat detare. Megjithatë, fati ishte me ne dhe me përkushtimin e detarëve, anijet arritën të mbërrinin në portet e Italisë dhe gjithçka përfundoi me sukses.“
“Është një neglizhencë që kjo ngjarje të mos kujtohet. Sidomos kur kemi edhe lidhjen historike me Italinë, një eksod që u pranua dhe u përballua edhe nga pala italiane. Prandaj duhet bërë diçka që kjo ngjarje të mbetet gjithmonë në kujtesë për brezat e ardhshëm. Është e domosdoshme të vendoset një monument, një skulpturë apo një memorial për të kujtuar ndër vite këtë eksod, sepse ai është pjesë e historisë sonë dhe lidhet me fatet e mijëra familjeve shqiptare.”, u shpreh Domi.
Eksodi i marsit 1991 mbetet një nga ngjarjet më të forta të tranzicionit shqiptar. Në datat 5, 6 dhe 7 mars mijëra qytetarë u drejtuan drejt porteve të Durrësit dhe Vlorës për t’u larguar nga vendi, duke u imbarkuar në anije tregtare, peshkarexha apo çdo mjet tjetër lundrues që mund t’i çonte drejt Italisë. Vetëm në portin e Brindizit mbërritën brenda pak orësh mijëra emigrantë shqiptarë, ndërsa mediat ndërkombëtare e cilësuan atë kohë si një nga eksodet më të mëdha të Evropës pas rënies së regjimeve komuniste. Ngjarja shënoi fillimin e valës së madhe të emigracionit shqiptar drejt Perëndimit në vitet e para të demokracisë.





