Kryeministri Edi Rama njofton sot se aksioni kundër informalitetit ka ndëshkuar një tjetër subjekt abuziv.
Sipas kryeministrit, një depozitë në Porto-Romano të Durrësit është zbuluar duke hedhur në treg karburant pa akcizë, përkatësisht ka rezultuar me mangësi në deklarimet e 233 mijë litra benzinë dhe për këtë arsye është aktivizuar masa ligjore ndaj subjektit në fjalë, duke u gjobitur me 41 milionë lekë (ose 350 mijë euro).
Kreu i qeverisë ripërsërit paralajmërimin se operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore, jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera pa akcizë.
“STOPINFORMALITETIT. Porto-Romano, Durrës – Zbulohet depozita me mangësi në deklarimin e 233 mijë litra benzinë dhe aktivizohet masa ligjore. Operacioni i kthimit në ligjshmëri do të prekë çdo magazinë doganore; jo vetëm për karburantin, por edhe për produktet e tjera të akcizës, për t’u përballur me #ZeroTolerancë ndaj abuzuesve”, shkruan Rama, ndërsa publikon në “Facebook” video nga subjekti i bllokuar.





