Në Kosovë janë bllokuar që prej vitit 2011 pasuri të përfituara në mënyrë të paligjshme që mbërrijnë vlerën e 36 milionë eurove, nga të cilat janë konfiskuar rreth 2 milionë euro.
Zëri i Amerikës thotë se pavarësisht përmirësimeve në ligjin për konfiskimin e pasurisë, avancimi në këtë drejtim vazhdon të mbetet një sfidë sidomos për shkak të mungesës së kërkesave të prokurorëve.
Organizatat e shoqërisë civile konsiderojnë se kjo çështje është një prej pengesave kryesore për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin. Pasuritë e sekuestruara nga rastet e korrupsionit, krimi i organizuar dhe financimi i terrorizmit menaxhohen nga agjencia e posaçme e administrimit të tyre.
“Kemi shtëpi, kemi spitale private, kemi automjete, e shumë pasuri të tjera që burojnë nga krimi i organizuar”, u shpreh Rrahim Rama, drejtori i agjensisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar.
Por shuma e konfiskuar deri me tani sipas organizatave të shoqërisë civile është shumë e ulët, thotë VOA, për të ushtruar ndikim në luftën kundër këtyre dukurive negative dhe përpjekjet duken të pamjaftueshme për të ndëshkuar të gjithë ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.