Të gjithë janë gati për formatin e ri të Champions League. Jo më 32 skuadra, por 36 skuadra pjesëmarrëse. Një ndryshim i rëndësishëm është shtimi i ndeshjeve në fazën e grupit. Jo më tetë grupe me katër skuadra, por një grup i vetëm për 36 skuadrat e kualifikuara.

Brenda këtij grupi, secila skuadër do të përballet me tetë ekipe të ndryshme, në ndryshim me gjashtë ndeshjet siç ka qenë për vite me radhë. Kjo do të ofrojë më shumë mundësi për klubet që të tregojnë vlerat e tyre në një skenë më të madhe si Champions League.

Sipas formatit të ri, tetë skuadrat që renditen në krye të grupit do të kualifikohen automatikisht për në fazën e 16 më të mirave, ndërsa skuadrat që pozicionohen nga vendi i nëntë deri në vendin e 24 do të luftojnë në një raund shtesë për t’iu bashkuar ekipeve të kualifikuara.

Skuadrat nga vendi i 25 deri në atë të 36 do të eliminohen, pa mundësi të “rikuperimit” në Europa League.

Nga 125 ndeshje në total që ka patur formati i vjetër, tani spektakli i Champions League do të shumëfishohet në 225 ndeshje, pra gati 100 takime më shumë për t’u parë dhe shijuar.

Ndërkohë, siç ndodh edhe në formatin aktual, fituesja e Champions, por edhe ajo e Europa League, do të kenë akses të garantuar në sezonin e ardhshëm të Champions League.