Një 39-vjeçar ka rënë në pranga nga efektivët e Komisariatit të Pogradecit.

Sipas informacioneve, K.R., 39-vjeç banues në Buçimas ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Ai fillimisht ka shkaktuar një aksident, pasi ka përplasur një shtetas tjetër dhe më pas e ka kanosur me thikë.

Policia thotë se ka sekuestruar mjetin prerës, thikën.

Teksa 39-vjeçari përfundoi në pranga, materialet i kanë kaluar Prokurorisë.

Njoftimi i policisë:

Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin K. R., 39 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Tushemisht”, automjeti që e drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin O. B. Si pasojë e përplasjes janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, 39-vjeçari është konfliktuar me shtetasin O. B. dhe dyshohet se e ka kanosur atë, me mjet prerës.Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.