Tri meshkuj të bardhë kanë humbur jetën ndërkohë që një i katërt ka mbetur i plagosur, pasi një agresor hapi zjarr në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet arrestuan 39-vjeçarin me ngjyrë Kori Ali Muhammad, i cili mendohet të ketë sulmuar për motive racore dhe jo terroriste.
Kori Ali Muhamed qëlloi 16 herë në më pak se 2 minuta, por edhe pse bërtiste në arabisht “Zoti është i madh”, kur efektivët i vunë prangat, autoritetet e sigurisë janë thuajse të bindur se gjenden përballë një sulmi nga urrejtja dhe jo një akti terrorist.
Në rrjetet sociale, 39-vjeçari kishte postime të shumta me përmbajtje të qartë urrejtjeje ndër-racore, gjë që përforcon deklaratat paraprake të policisë.
39-vjeçari ishte shpallur në kërkim për vrasjen e rojës së sigurisë së një moteli në të njëjtin qytet javën e kaluar. Mesazhet e tij në mediat sociale kanë qenë të mbushura me urrejtje për të bardhët dhe për politikat qeveritare. Njëri prej viktimave u qëllua ndërsa qëndronte i ulur në makinën e vet.
Qëllimi i agresorit, sipas krerëve të policisë, ishte të vriste sa më shumë njerëz që të mundej. Ngjarja me shumë gjasë do të rindezë debatet e ashpra mbi kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara, ku nga dhuna e tyre, në mbarë vendin, vriten çdo vit mbi 30 000 vetë.