Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në një kafene në fshatin Runik të Skenderajt, ku ka mbetur i vrarë një person dhe tre të tjerë janë plagosur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:21.
Siç tha ai, njëri nga të lënduarit viktima N. L, 39-vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre të plagosurit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, ka thënë ai.
Të gjitha veprimet e ndërmarra policore janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes, ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë Zahiti.