DURRES, 7 janar 2014 – Shqiptarët kthehen në Mesjetë. Traditat zakonore në veri të vendit përcaktonin se, kur gruaja e turpëronte burrin, ai i priste flokët duke e damkosur atë si të "përdalë". Ndonëse në kohën e globalizmit, pré e këtij "riti" është bërë një 39-vjeçare, me origjinë nga Mirdita dhe banuese në lagjen nr. 17 (Kënetë) të Durrësit. Tri orë vonesë në kishë i ka kushtuar shtrenjtë Vojsava Arapit. Ajo është rrahur me grushta dhe shkelma nga bashkëshorti i saj xheloz dhe fanatik Gjergj Arapi. Ndërsa djali i saj 17-vjeçar, Pjetri, ka marrë gërshërët dhe i ka prerë flokët. E terrorizuar, më shumë nga fyerja se nga dhimbja e plagëve të trupit, nëna e dy fëmijëve ka denoncuar të shoqin dhe të birin në polici. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditës e së dielës. Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga viktima, uniformat blu kanë arrestuar dy autorët e krimit. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, 17-vjeçari ka deklaruar se ndihet thellësisht i penduar për shëmtimin që i bëri së ëmës. "Nënës ia preva flokët për ta mbrojtur nga babai, pasi ai ishte bërë si i çmendur dhe kishte vendosur që ta masakronte, duke i prerë veshët, hundën dhe mjekrën". Dëshmia e adoleshentit ka tronditur blutë. Ngjarja e djeshme ka rikthyer në kujtesë kohën e Mesjetës, kur burrat, për të ruajtur vajzat dhe gratë nga "syri i keq", i shëmtonin, duke i lyer me bojë të zezë në fytyrë, duke i mbuluar apo duke u prerë flokët. 
NGJARJA 
Martesa me Gjergjin i ka nxirë jetën Vojsava Arapit. Në mënyrë sistematike, 39-vjeçarja është keqtrajtuar nga i shoqi. Por dhuna ka arritur kulmin mesditën e së dielës. Mësohet se në orën 07:00, nëna e dy fëmijëve kishte shkuar në rrobaqepësi, ku punonte në hekurosje prej disa kohësh. Ndryshe nga ditët e tjera, punonjëset e rrobaqepësisë kanë dalë nga puna në orën 09:00. Vojsava, së bashku me disa shoqe të punës nuk është kthyer në shtëpi, por ka shkuar në kishën e lagjes, ku është lutur. Në orën 12:00 ajo është kthyer në banesën (ndërtesë njëkatëshe) ku jetonte me qira. Sapo ajo është futur në derë, ka plasur sherri. Bashkëshorti i saj, Gjergj Arapi i ka kërkuar llogari se përse ishte vonuar tri orë. I xhindosur nga xhelozia, 45-vjeçari ka sharë nënën e dy fëmijëve të tij, duke e quajtur grua të përdalë. Ndërkohë, ai ka filluar ta rrahë me grushta dhe shkelma. Në skenën e dhunshme është përfshirë dhe djali 17-vjeçar i çiftit Arapi, i cili i ka prerë së ëmës flokët me gërshërë. E tronditur, gruaja ka shkuar në polici, ku ka denoncuar burrin dhe djalin për ushtrim dhune. Blutë kanë dërguar viktimën në spitalin e Durrësit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa dje ajo ka marrë djalin e vogël 10 vjeç dhe është larguar tek prindërit e saj. 
DESHMIA E GRUAS 
"Burri më ka nxirë jetën. Ai më ka rrahur sistematikisht, ndonëse unë punoj dhe mbaj me bukë gjithë familjen. Unë punoj në rrobaqepësi dhe të dielën, meqë kishim vetëm dy orë punë, shkova në kishë për t'u lutur. Kur u ktheva në shtëpi, burri më kërkoi llogari përse isha vonuar dhe me kë isha vonuar. I thashë se po më akuzonte kot, por ai e nxiste djalin tonë të madh, duke i thënë se isha grua e përdalë. Asgjë nga çfarë më tha ai nuk është e vërtetë", – është shprehur Vojsava Arapi në polici. Ndërsa, ajo ka pohuar se i shoqi pi gjithë ditën dhe se djalin 17-vjeçar e ka edukuar si veten. "Po denoncoj dy njerëzit e mi më të afërt, pasi jam e detyruar ta bëj. Kam duruar të më rrahin, por nuk mund të fal burrin dhe as djalin që ngriti dorën kundër meje e më turpëruan duke më prerë flokët. Kërkoj mbrojtje. Burri dhe djali im të dënohen nga drejtësia", – ka thënë 39-vjeçarja. 
DESHMIA E DJALIT 
"Unë ia preva flokët nënës. Jam shumë i penduar për veprimin që bëra, por isha i detyruar. Im atë ishte xhindosur keq dhe para se të vinte nëna në shtëpi më tha se do i priste flokët, veshët, hundën dhe mjekrën, pasi ishte grua e përdalë. Kur babai nisi ta rrihte, unë mendova më të keqen, ndaj ndërhyra për të mbrojtur nënën. Mora gërshërët dhe i preva flokët. Gjithçka e bëra për të mbrojtur nënën", – ka deklaruar në polici, 17-vjeçari Pjetër Arapi.

I SHOQI: ERDHI ME KOKË TË LAGUR 
Gjergj Arapi, i pyetur në polici pas arrestimit në flagrancë me të birin për dhunë në familje, ka deklaruar se gruaja e ka gënjyer. Sipas tij, e shoqja ishte kthyer në shtëpi me flokë të lagur dhe të kapur bisht, ndonëse nuk binte shi. “Nuk thoshte të vërtetën, por gënjente. Nuk kishte çfarë bënte 3 orë në kishë”, ka thënë në polici i shoqi, duke hedhur dyshimet për një lidhje tjetër të gruas, por pa dhënë elementë të tjerë. Babai i dy fëmijëve është shprehur se fillimisht ka pasur debat dhe vetëm disa shuplaka nga ana e tij, por ka qenë i biri që ka nxjerrë gërshërët për t’i prerë flokët. Duke parë që nuk ia ka dalë dot për shkak të trashësisë me brisk i ka prerë pjesën e lidhur të flokëve. Në këto kushte, djali 12- vjeçar i familjes ka nisur të bërtasë, çka ka bërë që gruaja të mund të lajmërojë policinë. 

/ Gazeta Shqiptare /