Një 23-vjeçar nga Pogradeci, banues në Tiranë, rezulton të jetë dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg për marrëdhënie seksuale me gruan e tij të mitur.

I riu E.Sulollari i komunitetit rom është martuar me shtetasen 12-vjeçare S.A. dhe kjo e komunitetit rom. Mirëpo nuk e ka menduar që kjo martesë do të kthehej për të në një kalvar gjyqesh dhe izolimesh në qeli. Pasi kanë vendosur të martohen me pëlqimin e të dy prindërve, dy të rinjtë kanë jetuar te një shtëpi tek ish-komunalja, rruga “Myslym Keta” Tiranë. Pa kaluar shumë ditë nga kjo bashkëjetesë, 23-vjeçari është arrestuar nga policia më 15 shtator 2015 duke u akuzuar për “kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur”.

Gjykata çmon se dënimi i E.Sulollarit është plotësisht i justifikuar, duke e krahasuar atë me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale. Gjithashtu, gjykata çmon se ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit, parandalimit të kryerjes së veprave të tjera penale, rehabilitimit të tij si dhe parandalimit të përgjithshëm të kësaj vepre penale. /Shqiptarja.com