4 artistë durrsakë u bënë protagonistë të një ekspozite të hapur në qytetin e Mantovës, duke sjellë artin shqiptar në zemër të Italisë.

Fotografët Griseld Hoxha dhe Erion Sheqeri, piktorja Viola Fusha dhe poeti Pano Ceka, sollën para publikut mantovan përmes fotografive, pikturave dhe poezive të tyre një copëz nga qyteti buzë Adriatikut, bukuritë natyrore të tij dhe shpirti njerëzor i qytetarëve durrsakë.

Ekspozita u mbajt në ambientet elegante të pallatit Cervetta dhe u kurua me profesionalizëm nga Alketa Delishaj.

“Kam tetë vite që merrem me fotografinë. Nuk më mjafton të kap bukurinë vizuale; ajo që kërkoj është momenti i vërtetë, ai që shkon përtej imazhit. Ekspozita ime ‘Shikime të Humbura’ është një përpjekje për të folur me njerëzit, përmes dritës dhe hijes, përmes çasteve që shpesh kalojnë pa u vënë re.”- deklaroi para të pranishmëve fotografi Griseld Hoxha.

Ngjarja u nderua nga autoritetet më të larta vendore, të cilët përshëndetën artistët dhe i inkurajuan në rrugëtimin e tyre. Kjo ekspozitë nuk ishte vetëm një ngjarje kulturore. Ishte një dëshmi se arti dhe diplomacia, kur vijnë bashkë nga dashuria për vendin dhe ndjeshmëria njerëzore, mund të lënë gjurmë të thella.

M.B.