Një pallat në lagjen 17, në qytetin e Durrësit, pësoi goditjen e parë që në tërmetin e 21 shtatorit, ku dy katet e para të tij, pësuan dëmtime, por pamundësia e banorëve për të lëvizur bëri që të përjetojnë ankthin e madh të tërmetit të 26 nëntorit, i cili i dha goditjen përfundimtare objektit.
I dëmtuar në pjesën e kollonave, inkubatorë, muraturë dhe çdo gjë tjetër, pallati është konsideruar me dëmtime të rënda. Një shenjë e kuqe në hyrje të tij, u vendos që nga ekspertiza e parë e specialistëve të huaj, gjë që u pasua me tre ekspertiza të tjera më pas.
Banorët e pallatit tashmë jetojnë me qira, por ndonëse godina rezulton si një nga më të dëmtuarat në qytet, ata ende nuk kanë asnjë informacion se çfarë do të bëhet me pallatin.
Paqartësitë e krijuara pas tërmetit të 26 nëntorit, në lidhje me shkallën e dëmeve të shumë objekteve dhe fakti që ende nuk ka informacion se çfarë do të bëhet me godinat e shpallura të pabanushme, bën që banorët të jenë skeptic në lidhje me të ardhmen.
Mëngjesin e sotëm ata janë mbledhur rreth pallatit, aty ku kanë djersën e një jete pune, dhe kanë protesuar duke kërkuar vëmendje nga instucionet vendore për të ardhmen e apartamenteve të tyre.
Banorët shprehen se ndihen në rrugë të madhe dhe se nuk mund të jetojnë gjithë kohën në banesa me qira.
Informacioni se pallatet e dëmtuara do të ndërtohen në zonën e Spitallës, bën që banorët të ngrejnë zërin se kjo nuk është e drejtë, pasi duan që pallati të ndërtohet në të njëjtin vend.
I dëmtuar rëndë pallati i kësaj lagje është dhe një rrezik evident dhe për këmbësorët që kalojnë këtu, ndërkohë që masat e sigurisë, duket se janë harruar.





