Francë, 20 mars 2014 – Prindërit që i sollën në jetë duhet të kujdeseshin për ta, por për katër fëmijë të moshës nga 2 muajsh deri në 6 vjeç nuk ka ekzistuar asnjë lloj përkujdesjeje apo gjest dashurie prindërore.

Në periferinë veriore të Parisit, policia franceze ka gjetur në një shtëpi, të mbyllur në një dhomë, 4 fëmijë të mitur të cilët në këto vite ekzistence nuk kishin dalë asnjëherë jashtë dhomës. Vogëlushët e moshës 2 muajsh, 2, 5 dhe 6 vjeç ishin të kequshqyer dhe jetonin në kushte higjenike aspak të përshtatshme. Ata flinin në dyshekë të vendosur përtokë. Fëmija më i madh, sipas policisë, mezi arrinte të ecte dhe të fliste.

“Janë fëmijë të egër, janë rritur vetë”,- deklaron një burim pranë grupit hetimor për radion Rtl. Prindërit e fëmijëve janë ndaluar, ndërkohë që fëmijët u janë besuar shërbimeve sociale. Babai, një 33 vjeçar, dhe nëna, një 27 vjeçare, ishin të dy të papunë. Fëmijët nuk janë dërguar asnjëherë tek mjeku dhe nuk kanë bërë asnjë vaksinë. Policia është sinjalizuar për këtë rast nga mjekët e një spitali, ku gruaja ishte paraqitur në fillim të muajit shkurt së bashku me fëmijën dy muajsh.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/