Investigim ekskluziv i “Dyrrah”-ut / kështu arresti i anijes greke për 15 mangësi teknike doli për mirë: shqiptarët marrin rrogat e prapambetura të tre muajve dhe biletat e avionit për kthim në Shqipëri
Solidariteti i sindikatave, medieve dhe ambientalistëve francezë, fati të punosh në Evropën veriore
Nga Morena Çyrbja, Thanas Mustaqi
DURRËS, 13 qershor 2013 – Për më se një muaji anija e mallrave “River King”, me ekuipazh durrsak, ndodhet e ndaluar në portin francez të Granvil-i (Granville) të Mansh-it në veri-perëndim të Francës, por u vendos që 4 shqiptarët të kthehen në atdhe, deri sa të vijë një ekuipazh tjetër.
“Dyrrah”-u, me t’u informuar nga mediet franceze, sot në orën 17-18, kontaktoi me kapitenin e anijes Luan Sejko dhe u informua për çka kishte ndodhur me një anije të ngarkuar me 900 tonë zhavorr.
E veçanta është se anija “River King”, e prodhimit të vitit 1984, u arrestua nga autoritetet franceze për 15 mangësi teknike, duke mos e lejuar të prekë portet evropiane, ndonëse punonte transit në Evropën veriore, Francë-Mbretëri e Bashkuar.
Por u zbulua se mjeti lundrues, i konsideruar nga një shoqatë franceze për mbrojtjen e mjedisit detar GLAZ MOR si “kosh plehrash”, kishte një ekuipazh pa kontratë pune, me tre muaj rroga të papaguara (rreth 60 mijë dollarë) dhe që ishin nën nivelin e lejuar nga Organizata Botërore e Punës.
Falë këmbënguljes së sindikalistëve francezë, Federatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Transportit, rrjetit televiziv të Parisit, shqiptarët fituan të drejtat e tyre.
“Dyrrah”-u mësoi se katër durrsakëve (Luan Seiko, Ylber Gjika, Endri Vrushaj, Eqerem Elezi) u janë prerë bileta avioni për t’u kthyer në Shqipëri, por do të presin deri sa anijen ta marrë në dorëzim një ekuipazh i ri.
Bie në sy fakti që shkeljet e rënda, mosrespektimin e standardeve i kanë bërë kompani të dy vendeve të BE-së, Greqisë (pronari “Ionian Marine Shipping”) dhe Britanisë së Madhe (menaxhues-çarterues “Intrada Chartering”).
Patën fat shqiptarët qe ishin ne Evropë dhe ITF-ja është e fortë atje, që morën leket dhe biletat për shtëpi .
Çfarë ka ndodhur
Kështu, më 5 maj 2013, anija “River King” me flamur të Belizes, me pronar grek anijesh “Ionian Marine Shipping”, brokerues anglez “Intrada Chartering” dhe ekuipazh shqiptar, transportonte 900 tonë inerte, u akostua në portin e tregtisë së Granvilit.
Por më 15 maj u dokua në qendrën e sigurisë së anijeve (CSN: centre de sécurité des navires) për 15 mangësi serioze.
Për këtë u ndalua që për një vit të mos prekte asnjë port evropian.
Megjithatë, do t’i duhet të çojë ngarkesën e saj në Britaninë e Madhe, Southampton.
francezëve u kishte bërë përshtypje fakti se ekuipazhi nuk është paguar për tre muaj!
“Pagat e prapambetura arrijnë në rreth 60 mijë dollarë”, tha Lorë Talono (Laure Talloneau, shih foton 2), inspektore e ITF CGT-së (International Transport Workers' Federation – Federata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Transportit), duke shtuar: “Madje, këto marinarë nuk kanë as kontratë pune”.
Ambientalistët
Shoqata GLAZ MOR, një shoqatë e qytetarëve, që mbron mjedisin detar, nëpërmjet presidentit të saj, Zhan-Pol Helekin (Jean-Paul Hellequin), deklaron: “Si mund të “guxojë” ky brokerues të çarterojë këtë kosh plehrash (poubelle), anije plot rreziqe, por që mund të prekë dhe portet e tjera evropiane? Ky “pseudo-armator” grek është lejuar të vazhdojë të punojë përkundrejt faktit se këtyre lloj anijesh u ndalohet të lundrojnë, për më tepër që janë punësuar marinarë pa kontratë”.
Mediet
Problemi mori përmasa të mëdha saqë një ekip xhirimi i një zinxhiri kombëtar erdhi posaçërisht nga Parisi më 6 qershor. Ata nuk ia arritën asnjëherë të merrnin leje për të të filmuar, autoritetet portuale u fshehën pas faktit se Sud-i ishte bërë zonë ISPS (International Ship and Port Security, kod francez ndërkombëtar për sigurinë e anijeve dhe instalimeve portuale ), dhe kërcënuan ekipin TV me gjobë prej 1.500 euro nëse nuk largohej menjëherë. Po ashtu të përjavshmes La Manche Libre iu kërkua gjithashtu të largohej.
Sindikatat
Qëndrimi u dënua në një komunikatë të sindikatës të Marinarëve të Grand Ouest: “Sindikata është shumë revoltuar me sjelljen e drejtorit të portit të Granville ndaj inspektores së ITF CGT, dhe ndaj medieve që ishin aty vetëm për të informuar një situatë shumë shpesh të shpeshtë në portet franceze dhe evropiane”.
Për shkak të këtij sanksionit, “anija nuk mund të shkojë në portin e destinacionit” në Britaninë e Madhe, thotë Lorë Talono.
Të katër marinarë shqiptarë nuk kanë kontratë dhe pagat janë nën minimumin e përcaktuar nga ana e Organizatës Ndërkombëtare e Punës (ILO), tha Lorë Talono, e cituar nga shtypi francez.
Info/ Të dhëna për anijen “River King”
Lloji i anijes: mallrash gjenerale
Viti i ndërtimit: 1984
Gjatësi x gjerësi: 59 m x 10 m
Tonazhi: 1394 t
Shpejtësia e regjistruar (maksimale/ mesatare): 10.1 / 6.7 nyja
flamuri: Belize
shenja e thirrjes: V3QF3
IMO: 8324581, MMSI: 312312000
Pronar: Ionian Marine Shipping (Greqi)
Menaxhues transiti: Intrada Chartering (Britani)
Ekuipazhi: Luan Seiko, Ylber Gjika, Endri Vrushaj, Eqerem Elezi
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





